...
Partia Demokratike Europiane, pjesë e ‘Renew Europe’, aleancës së liberal-demokratëve në Parlamentin Europian, i kërkoi kryeministrit Edi Rama të mos shpërfillë kërkesat e protestuesve dhe të mos reduktojë “aspiratat e tyre europiane në marrëveshje të errëta”.
Në një deklaratë për shtyp, Partia Demokratike Europiane, pjesë e ‘Renew Europe’, aleancës së liberal-demokratëve në Parlamentin Europian, i bëri të martën thirrje kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që të dëgjojë zërin e protestuesve për ndryshim demokratik dhe llogaridhënie.
“E ardhmja europiane e Shqipërisë nuk duhet të rrëmbehet nga interesat oligarkike”, thuhet në nisje të qëndrimit të Partisë Demokratike Europiane, pjesë e ‘Renew Europe’, publikuar të hënën në mbrëmje, kur në Tiranë po mbahej protesta e 23-të radhazi kundër qeverisë së drejtuar nga Edi Rama.
Protesta, që nisi si një kundërshtim ndaj planeve të qeverisë për të ndërtuar një kompleks rezidencial në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, i lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan, Jared Kushner, u shndërrua shpejt në një lëvizje anti-estabilishment me kërkesë kryesore dorëheqjen e kryeministrit.
Partia Demokratike Europiane thotë se po ndjek me shqetësim mobilizimin qytetar në Shqipëri dhe pyetjet që ai ngre për transparencën, shtetin e së drejtës dhe të ardhmen europiane të vendit.
“Ajo që nisi si një protestë kundër një projekti të kontestuar imobiliar në një zonë natyrore të mbrojtur është kthyer në një kërkesë më të gjerë për llogaridhënie dhe ndryshim demokratik. ‘Revolucioni i Flamingove’ tregon se shumë shqiptarë nuk pranojnë që aspiratat e tyre europiane të reduktohen në marrëveshje të errëta, privilegje private dhe interesa oligarkike”, thuhet në qëndrimin e demokratëve europianë.
Sandro Gozi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Europiane dhe deputet i Parlamentit Europian, thotë se “ky mesazh duhet të dëgjohet në Tiranë dhe në Bruksel” dhe se “pas trembëdhjetë vjetësh në pushtet, Kryeministri Edi Rama nuk mund t’i shpërfillë kërkesat legjitime për llogaridhënie dhe për një ndryshim të vërtetë kursi, nëse kjo është ajo që shqiptarët zgjedhin me mjete demokratike”.
“Shqipëria i përket Bashkimit Europian,” shton Gozi, “por anëtarësimi nuk mund të ndërtohet mbi mbrojtje të dobësuara, marrëveshje pas dyersh të mbyllura apo rrëmbimin e të mirave publike nga një grusht i fuqishëm. Zhvillimi duhet t’u shërbejë qytetarëve, të mbrojë trashëgiminë natyrore dhe të respektojë shtetin e së drejtës.”
“Shqipëria nuk është për shitje, e ardhmja e saj europiane duhet t’u përkasë qytetarëve të saj — jo oligarkëve”, përfundon Gozi.
Në këtë kontekst, PDE bën të ditur se Gozi paraqiti të hënën një pyetje prioritare me shkrim drejtuar Komisionit Europian, duke kërkuar se si e vlerëson ai këto zhvillime përkundrejt detyrimeve të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit lidhur me shtetin e së drejtës, transparencën dhe mbrojtjen e mjedisit, dhe çfarë hapash do të ndërmarrë për të garantuar vendimmarrje transparente dhe respektimin e të drejtës për protestë paqësore.