...
Gjermania po përgatit reformën më të thellë të shërbimit të saj sekret të inteligjencës së jashtme, BND, në një përpjekje për ta përshtatur me realitetin e ri të sigurisë në Evropë dhe për të ulur varësinë nga informacionet e Shteteve të Bashkuara.
Këtë e analizon gazetari Sam Jones në një reportazh të publikuar nga Financial Times.
Sipas artikullit, qeveria e kancelarit Friedrich Merz ka rritur tashmë buxhetin e BND-së me rreth 25%, në 1.51 miliardë euro, ndërsa po përgatit një ligj të ri që pritet t’i japë agjencisë kompetenca shumë më të gjera në fushën e përgjimeve, inteligjencës kibernetike dhe përdorimit të teknologjive të inteligjencës artificiale.
“Duhet dhe do të jemi vija e parë e mbrojtjes së Gjermanisë”, ka deklaruar drejtori i BND-së, Martin Jäger, në një fjalim para punonjësve të agjencisë.
Reportazhi i FT-së thekson se për dekada me radhë BND ka funksionuar nën kufizime të forta ligjore dhe politike, të diktuara nga trashëgimia historike e Gjermanisë naziste dhe ish-Gjermanisë Lindore, ku survejimi shtetëror la plagë të thella në shoqëri.
Kjo ka bërë që vetë punonjësit e agjencisë ta përshkruajnë me humor BND-në si një shërbim “vegjetarian”, në kontrast me CIA-n amerikane apo SIS-in britanik, të cilët i konsiderojnë “mishngrënës”.
Lufta në Ukrainë dhe pasiguria mbi vazhdimësinë e mbështetjes amerikane kanë ndryshuar, sipas Financial Times, mënyrën se si Berlini e sheh inteligjencën kombëtare.
Zyrtarët gjermanë argumentojnë se BND-ja duhet të jetë në gjendje jo vetëm të mbledhë informacion, por edhe të kryejë operacione aktive në hapësirën kibernetike, përfshirë sulme ndaj objektivave të kundërshtarëve.
Megjithatë, reformat kanë ngritur shqetësime për balancën mes sigurisë dhe lirive civile. Aktualisht, BND-ja mbikëqyret nga disa struktura parlamentare, gjyqësore dhe të mbrojtjes së të dhënave personale, ndërsa kritikët paralajmërojnë se zgjerimi i kompetencave mund të dobësojë garancitë kushtetuese për privatësinë.
Sipas Jones, sfida më e madhe nuk është vetëm ndryshimi i ligjit, por edhe transformimi i kulturës së vetë BND-së, e cila për dekada është perceptuar më shumë si një burokraci juridike sesa si një shërbim inteligjence me aftësi operacionale.