...
Një operacion i forcave speciale RENEA është zhvilluar gjatë natës në zonën e Fushë-Krujës, ku objektiv ka qenë Ylli Zalla, person i shpallur në kërkim në lidhje me një çështje për armëmbajtje.
Efektivët kanë rrethuar për disa orë banesën e tij në fshatin Zall, me qëllim kapjen e të kërkuarit.
Zalla ka arritur të largohet nga banesa, pavarësisht rrethimit policor.
Raportohet se gjatë operacionit forcat speciale kanë tentuar neutralizimin e tij duke gjuajtur në drejtim të tij, por pa rezultat.
Gjatë kontrollit në banesë është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë.
Njoftimi i policisë:
Krujë/Operacion në fshatin Zallë, për kapjen e një shtetasi të shumëkërkuar.
Operacioni, mbi bazën e informacionit të siguruar në rrugë operative, për vendndodhjen e 49-vjeçarit.
Në operacion DVP Tiranë, Komisariati i Policisë Krujë dhe Forcat Speciale “RENEA”.
I shumëkërkuari, kur ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka mundur të largohet dhe të futet në pyll, duke përfituar nga errësira.
Gjatë operacionit në banesën e shtetasit Y. Z., në fshatin Zallë, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe kanë arrestuar shtetasin F. A., 55 vjeç, banues në të njëjtin fshat, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se kur ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka njoftuar dhe ka ndihmuar të shumëkërkuarin, për t’u larguar nga banesa.
Në banesën e të shumëkërkuarit Y. Z., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje, një celular që dyshohet se shtetasi Y. Z. nuk mundi ta merrte me vete, si dhe në vijim të kontrollit gjetën municion luftarak dhe një detektor frekuencash.
Gjithashtu, në banesë u gjet edhe vëllai i 49-vjeçarit, i cili ishte shpallur në kërkim policor nga DVP Lezhë, shtetasi E. Z, 35 vjeç, i cili do ndiqet në gjendje të lirë nga DVP Lezhë, i dyshuar si bashkëpunëtor në ngjarjen e ndodhur më datë 10.06.2026, ku në një ambient të hapur tokë, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse.
Vijon intensivisht puna për kapjen e shtetasit Y. Z.
Materialet procedurale do t’u referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.