... Nami.al

Dhjetëra pjesëtarë të njësisë elitë ruse janë vrarë gjatë luftës në Ukrainë

Të paktën 87 pjesëtarë të Forcave të Operacioneve Speciale (SSO) të Rusisë janë vrarë gjatë luftës kundër Ukrainës. Shifra është zbuluar nga media “Important Stories”, e cila ka analizuar të dhëna të rrjedhura nga databaza e Shërbimit Federal të Statistikave të Rusisë (Rosstat).

Sipas të dhënave, 54 ushtarakë janë vrarë në territorin e Ukrainës, ndërsa tre të tjerë kanë ndërruar jetë nga plagët e marra në spitale ruse.

Pesë pjesëtarë të forcave speciale janë vrarë në Siri, ndërsa pesë të tjerë janë bërë viktima të operacioneve të sabotimit të kryera nga shërbimet ukrainase të inteligjencës në territorin rus. Pjesa tjetër ka humbur jetën jashtë luftimeve ose në rrethana të paqarta.

Forcat e Operacioneve Speciale janë ndër njësitë më sekrete të Ushtrisë ruse. Pjesëtarët e tyre përzgjidhen nga njësitë elitare të forcave speciale të inteligjencës ushtarake GRU.

Sipas vlerësimeve të ndryshme, kjo njësi ka nga 2 500 deri në 7 000 pjesëtarë. Ajo u krijua si një strukturë ekuivalente me njësinë amerikane Delta Force.

Pjesëtarët e SSO-së morën pjesë në pushtimin e Krimesë në vitin 2014, në evakuimin e ish-presidentit ukrainas Viktor Yanukovych nga Ukraina, si dhe në operacionet ushtarake në Siri.

Në vitin 2023, një pjesë e kësaj njësie u përfshi në një strukturë të re të inteligjencës ushtarake. Sipas raportimeve të “The Wall Street Journal”, kjo strukturë është e përfshirë në operacione sabotimi në vendet anëtare të NATO-s.