Tre persona janë shoqëruar në Polici deri më tani, në kuadër të hetimeve për vrasjen e Selami Hasanit, i njohur si “Sel Çami”, në Fier.
Ai u vra në oborrin e banesës së tij, ndërsa nga atentati mbeti i plagosur edhe nipi i tij.
Autorët vijojnë të jenë në kërkim, ndërsa ende nuk ka gjurmë të tyre.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë, të verifikuara deri në këto momente, është konstatuar vetëm prania e një automjeti tip “Volvo” në zonë, por nuk janë identifikuar autorët dhe lëvizjet e tyre.
Ndërkohë, në një automjet të djegur, të gjetur në zonën e Pojanit, janë zbuluar dy armë zjarri që dyshohet se mund të kenë lidhje me ngjarjen.
Sipas të dhënave nga hetimi, automjeti i djegur dyshohet se është përdorur nga autorët e krimit përpara ose pas ekzekutimit. Dy armët e gjetura brenda tij janë sekuestruar nga grupi hetimor dhe do t’i nënshtrohen ekspertizës balistike për të verifikuar nëse janë përdorur në vrasje.
