... Nami.al

Zelensky përplaset me Trumpin për Putinin: Për ne është armik dhe vrasës, jo mik

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili e cilësoi Vladimir Putinin si mikun e tij, duke e quajtur udhëheqësin rus një “vrasës”.

Në një intervistë për CNN, Zelensky u shpreh se Trump është i lirë ta quajë Putinin si të dëshirojë, por për Ukrainën ai mbetet një armik dhe përgjegjës për vrasjen e njerëzve.

“Për ne, ai është një armik… për ne, ai është një vrasës”, deklaroi presidenti ukrainas.

Reagimi i Zelenskyt vjen pasi Trump, gjatë qëndrimit në Kinë, foli për marrëdhënien e tij me presidentin rus, duke thënë se të dy kanë pasur një raport të shkëlqyer ndër vite. Kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh gjithashtu se Putini dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë.

Megjithatë, Zelensky vlerësoi se një qasje e tillë ndaj presidentit rus tregon se Moska nuk po përballet me presionin e mjaftueshëm ndërkombëtar.

Ndërkohë, sulmet ruse ndaj Ukrainës vijojnë të shkaktojnë viktima dhe të plagosur. Sipas autoriteteve ukrainase, sulmet me raketa dhe dronë në qytetin e Kryvyi Rihut, vendlindja e Zelenskyt, shkaktuan dy viktima, mes tyre edhe një fëmijë, si dhe 52 të plagosur.

Gjithashtu, autoritetet raportuan të plagosur në rajonet e Kharkivit dhe Rivnes. Më herët, sulmet ruse ndaj Kievit dhe infrastrukturës hekurudhore në Ukrainën perëndimore kishin shkaktuar të paktën nëntë viktima.