... Nami.al

PD e ka gati kandidatin për Tiranën, por po pret përgjigje nga opozitarët e tjerë

Sali Berisha bëri sërish ftesë për partitë e reja opozitare që të dalin me kandidat të përbashkët për Tiranën. Kreu i PD thotë se e kanë emrin e tyre, por presin me durim një koalicion më të gjerë opozitar për marrjen e kryeqytetit.

“Unë nuk e humb durimin. Ftesa ime nuk e ka në bazë faktin se ne nuk kemi kandidat. Ne kemi kandidatë të shkëlqyer, ju garantoj.

Por ftesa ime ka në bazë bashkimin e të gjithë faktorëve që e konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe, që e konsiderojnë Edi Ramën një rrezik ekzistencial për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Berisha.

“Prapë unë tregoj durim, prapë i ftoj dhe ftesa ime është shumë e qartë. Askush nuk ftohet të ndryshojë programin e tij, të ndryshojë qëndrimin ndaj Sali Berishës apo të ndryshojë platformën e tij.

Jo, bashkohemi siç jemi kundër një armiku që është më i rrezikshmi sot për kombin dhe për vendin dhe pastaj të votohet lirisht. Secili merr votat që meriton, secili bën koalicionet që dëshiron.

Pra, në këtë kuadër, unë përsëri kam durim, megjithëse i dëgjoj që refuzojnë. Por, në qoftë se janë të vërtetë në qëndrimin për largimin e Edi Ramës, është absolutisht alfa që duhet të bashkohen të gjithë faktorët opozitarë”.