Federata Shqiptare e Futbollit u është drejtuar me një thirrje të gjithë tifozëve që të tregojnë kujdes maksimal gjatë sigurimit të biletave për ndeshjen.
FSHF paralajmëron tifozët të mos bien pre e mashtrimeve me bileta të dublikuara dhe të shmangin blerjet nga persona të paautorizuar apo burime të dyshimta.
“Në këto raste ekziston rreziku që e njëjta biletë të shitet disa herë, duke krijuar probleme në momentin e hyrjes në stadium”, thuhet në njoftimin e FSHF.
Gjithashtu, për të shmangur radhët dhe vonesat, këshillojmë të gjithë tifozët të paraqiten pranë stadiumit në kohë, duke planifikuar paraprakisht mbërritjen e tyre.
“Për arsye sigurie, Policia e Shtetit do të kryejë kontrolle të shtuara në hyrje të stadiumit. Për këtë arsye, kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tifozëve, si dhe respektimin e udhëzimeve të personelit të sigurisë. FSHF fton të gjithë tifozët të tregojnë përgjegjshmëri, në mënyrë që hyrja në stadium dhe zhvillimi i ndeshjes të kalojnë sa më mirë. Faleminderit për mirëkuptimin dhe mbështetjen! Së bashku në krah të Kombëtares!”, vijon njoftimi.
