... Nami.al

Erjon Vishkulli njofton përfundimin me sukses të operacionit të dytë: Javën tjetër ndërhyrja vendimtare për shikimin

Erjon Vishkulli, 28-vjeçari i cili pësoi dëmtime të rënda në sy gjatë protestave të fundit në Tiranë, ka kryer me sukses ndërhyrjen e dytë kirurgjikale në një spital të specializuar në Itali.

Përmes një mesazhi publik, 28-vjeçari konfirmoi përfundimin e favorshëm të operacionit të sotëm, ndërsa bëri me dije se javën e ardhshme do t’i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje mjekësore, e cila konsiderohet vendimtare për mundësinë e rikthimit të shikimit.

“Ndërhyrja sot kaloi me sukses, por beteja vazhdon. Javën e ardhshme më pret një tjetër ndërhyrje, ndoshta më e rëndësishmja e gjithë këtij rrugëtimi, pasi lidhet drejtpërdrejt me shikimin tim. Pas gjithë dhimbjeve dhe sfidave që kam kaluar, shpresa ime më e madhe është të rikthej dritën që dua të shoh në jetën time. Nuk e di çfarë më pret, por një gjë e di: nuk do të dorëzohem kurrë,” shkruan Vishkulli.

I riu ndodhet prej disa kohësh në Itali ku po trajtohet nga mjekë specialistë, pas lëndimit të rëndë të pësuar gjatë përplasjeve në tubimet opozitare në kryeqytetin shqiptar.