Policia ka vendosur 21 gjoba ndaj personave që bllokuan rrugën dhe penguan qarkullimin e automjeteve gjatë protestës të zhvilluar një ditë më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, për secilin prej 21 personave është vendosur gjobë në vlerën 5 mijë lekë, pasi kanë kryer kundërvajtje administrative duke penguar lëvizjen e mjeteve të transportit gjatë zhvillimit të tubimit.
Policia bën me dije se masat janë marrë në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28 tetor 2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1.
Personat në fjalë kanë vijuar të mbajnë të bllokuar rrugën, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, të cilët u kanë kërkuar përmes megafonit të mos pengojnë qarkullimin e automjeteve.
