Tensione dhe përplasje fizike janë regjistruar para Ministrisë së Arsimit, ku protestues të Partisë Demokratike kanë tentuar të afrohen dhe t’i bashkohen protestës së studentëve.
Këta të fundit kanë kundërshtuar praninë e tyre, duke u kërkuar të largohen me thirrjet: “Largohuni!”.
Situata është tensionuar mes dy grupeve të protestuesve, duke kaluar në përplasje fizike. Studentët dhe pjesëmarrësit e tjerë në protestë, kanë mbajtur qëndrimin e tyre kundër përfshirjes së përfaqësuesve dhe mbështetësve të PD-së.
Mes protestuesve është krijuar një korridor ndarës, ku qëndronin pankartat “Rama në burg, Berisha në burg”
Në këtë grup protestuesish janë dëgjuar thirrje dhe parrulla të ndryshme. Njëra palë ka brohoritur “Arresto Berishën”, “Poshtë sekretarët e Partisë Komuniste”, ndërsa protestuesit demokratë u janë përgjigjur me thirrjet “Poshtë patronazhistët!”
Përplasjet kanë vijuar me largimin e një prej protestuesve që nuk ka mirëpirtur demokratët, i cili ka deklaruar se ishte kundër të gjithë klasës politike.
Ai u është drejtuar me fjalët:
“E prishët një herë në vitin 1990, doni ta bëni përsëri? Doni ta bëni prapë, por ju ka mbaruar koha! Mbështes studentët, mbështes popullin kundër klasës së vjetër politike. Unë jam një nga ata që kam votuar për PD-në, por tani mjaft më!
E kam kuptuar të gjithë lojën 36-vjeçare. E ka bërë njëherë në vitin 1990, do ta bëjë përsëri, por nuk do t’ia arrijë dot.
Kam ndryshuar mendim, sepse Berisha premtoi në Foltore se do ta hapte partinë dhe do të jepte dorëheqjen nëse nuk arrinte të fitonte zgjedhjet”, tha protestuesi.
Një protestues i kundërpërgjigjet duke i thënë se janë për të rrëzuar kryeministrin aktual Edi Ramën.
“Deri në vitin 2025 kam votuar PD-në, o vëlla! Ore, a jeni për demokraci ju? Unë i kuptoj këta, janë të mashtruar, nuk e kuptojnë realitetin. Unë nuk jam me asnjë parti. Unë jam një nga ata që kam votuar”, u shpreh një prej protestuesve.
