... Nami.al

Mbi 2 milionë euro pasuri në shënjestër të SPAK/ Kërkohet konfiskimi i 16 pronave të “kapos” së kokainës në Frakull!

 

SPAK ka përfunduar hetimet pasurore ndaj Nikolin dhe Klevent Gjolenës dhe ka dërguar për gjykim kërkesën për konfiskimin e 16 pasurive të paluajtshme në Tiranë dhe Durrës, me vlerë tregu mbi 2 milionë euro.

Pasuritë përfshijnë apartamente, njësi tregtare dhe garazhe, të regjistruara në emër të tyre, familjarëve dhe personave të lidhur me ta.

Kërkesa për gjykim e procedimit pasuror nr. 5 të vitit 2025 i është paraqitur më 6 nëntor 2026 Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë. Në të përfshihen Nikolin Gjolena, Klevent Gjolena dhe gjashtë persona të tjerë të lidhur me ta.

Hetimi pasuror lidhet me procedimet penale për trafikimin e 485.5 kilogramëve kokainë, të sekuestruara më 24 nëntor 2022 në fshatin Frakull e Madhe të Fierit. Sasia e drogës ishte fshehur në një ngarkesë me pleh organik artificial, e cila ishte trafikuar nga Kolumbia drejt Shqipërisë.

Sipas SPAK, nga hetimet dhe ekspertimi kontabël janë evidentuar pesë transferta monetare në vlerën 42.942 dollarë dhe 404.733 euro, të kryera në emër të familjarëve të personave nën hetim. Paratë kanë ardhur nga vende të Amerikës Qendrore dhe rajonit të Karaibeve, të njohura si parajsa fiskale.

Prokuroria dyshon se Nikolin dhe Klevent Gjolena, si dhe personat e lidhur me ta, nuk kanë arritur të provojnë ligjshmërinë e burimeve financiare të përdorura për krijimin e pasurive.

Në total, bëhet fjalë për 16 pasuri të paluajtshme, nga të cilat 3 apartamente dhe 2 garazhe në Tiranë, si dhe 3 njësi tregtare dhe 8 apartamente në zonën e Plazhit në Durrës.

Vlera e tyre në kohën e nënshkrimit të kontratave llogaritet rreth 1 milion euro, ndërsa sipas çmimeve aktuale të tregut kapërcen 2 milionë euro.

Kujtojmë se me vendimin e datës 26 qershor 2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë e shpalli fajtor Nikolin Gjolenën për akuzat e ngritura ndaj tij dhe e dënoi përfundimisht me 11 vite e 4 muaj burgim. Vendimi u la në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit më 30 dhjetor 2024.

Njoftimi i SPAK:

SPAK ka përfunduar hetimet pasurore dhe ka dërguar për gjykim procedimin nr. 5 të vitit 2025, duke kërkuar konfiskimin e 16 pasurive të paluajtshme në pronësi të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të Nikolin Gjolenës, Klevent Gjolenës dhe personave të lidhur me ta. Pasuritë, të ndodhura në Tiranë dhe Durrës, kanë një vlerë tregu që kalon 2 milionë euro.

Kërkesa është depozituar më 6 nëntor 2026 në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, në bazë të ligjit antimafia, i cili parashikon masa parandaluese ndaj pasurive që dyshohet se burojnë nga veprimtari kriminale.

Hetimi pasuror lidhet me procedimet penale të regjistruara ndaj Nikolin dhe Klevent Gjolenës për trafikim të lëndëve narkotike, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal.

Çështja ka lidhje me sekuestrimin e 485.5 kilogramëve kokainë, më 24 nëntor 2022, në fshatin Frakull e Madhe të Fierit. Sasia e drogës ishte fshehur në një ngarkesë me pleh organik artificial, e cila ishte transportuar nga Kolumbia drejt Shqipërisë.

Për këtë dosje, Nikolin Gjolena është dënuar me 11 vite e 4 muaj burgim. Vendimi është dhënë më 26 qershor 2024 nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe është lënë në fuqi nga Apeli i Posaçëm më 30 dhjetor të po atij viti.

 16 pasuritë që SPAK kërkon të konfiskojë

Nga hetimet pasurore janë identifikuar 16 prona të paluajtshme, të regjistruara në emër të dy personave nën hetim, familjarëve të tyre dhe personave të tjerë të lidhur me ta.

Bëhet fjalë për tre apartamente dhe dy garazhe në Tiranë, si dhe tri njësi tregtare e tetë apartamente në zonën e Plazhit, në Durrës.

Në kryeqytet, pasuritë ndodhen në rrugën “Shinasi Dishnica” dhe në një zonë të regjistruar me ZK 8130. Ato përfshijnë apartamente me sipërfaqe 75.7, 69.8 dhe 68.85 metra katrorë, si dhe dy garazhe, secili me sipërfaqe 40.3 metra katrorë.

Ndërsa në Durrës, në lagjen 13, zona e Plazhit, SPAK ka identifikuar tri njësi tregtare me sipërfaqe 165, 100 dhe 60 metra katrorë, si dhe tetë apartamente me sipërfaqe që variojnë nga 60.5 deri në 91.6 metra katrorë.

Transferta nga parajsat fiskale, mbi 400 mijë euro dhe 42 mijë dollarë

Një nga elementet që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve janë edhe transfertat monetare të përdorura për financimin e disa prej pasurive.

Sipas SPAK, nga aktet e administruara gjatë hetimit janë evidentuar pesë transferta në shuma të konsiderueshme, konkretisht 404.733 euro dhe 42.942 dollarë amerikanë. Paratë janë transferuar në emër të familjarëve të personave nën hetim dhe kanë ardhur nga vende të ndryshme të Amerikës Qendrore dhe rajonit të Karaibeve, të cilat konsiderohen parajsa fiskale.

Pas analizimit të dokumentacionit dhe kryerjes së ekspertimit kontabël, Prokuroria e Posaçme ka arritur në përfundimin se ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të bazuara në indicie, se Nikolin Gjolena, Klevent Gjolena dhe personat e lidhur me ta nuk kanë arritur të provojnë ligjshmërinë e të ardhurave të përdorura për krijimin e këtyre pasurive.

SPAK bën të ditur se vlera e pronave në momentin e nënshkrimit të kontratave ka qenë rreth 1 milion euro, ndërsa sipas çmimeve aktuale të tregut, vlera e tyre vlerësohet në më shumë se 2 milionë euro. Tashmë kërkesa për konfiskimin e 16 pasurive do të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme.