Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar një grafik për ecurinë e kursit të këmbimit euro-lek, përmes të cilit kundërshton pretendimin se zhvlerësimi i monedhës evropiane në Shqipëri është pasojë e rritjes së numrit të turistëve.
Sipas tij, shkaku kryesor i rënies së euros lidhet me aktivitetin e karteleve të drogës dhe parave që ato fusin në ekonominë shqiptare.
Në një deklaratë, Berisha solli si shembull vitet 2007 dhe 2022, duke krahasuar numrin e turistëve me kursin e këmbimit. Sipas shifrave që ai paraqiti, në vitin 2007 Shqipëria kishte rreth 1.8 milionë turistë, ndërsa një euro këmbehej me rreth 120 lekë.
Ndërkohë, në vitin 2022, kur numri i turistëve, sipas statistikave zyrtare, arriti në rreth 9 milionë, euroja këmbehej me rreth 127 lekë.
Duke u bazuar në këtë krahasim, kreu i PD-së pretendon se rritja e fluksit turistik nuk mund të jetë shpjegimi për zhvlerësimin e fortë të euros në vitet e fundit.
Ai akuzoi qeverinë dhe institucionet financiare se po përdorin turizmin si justifikim për të fshehur atë që e cilësoi si fenomenin e “narko-euros”.
Sipas tij, zhvlerësimi më i fortë është vërejtur nga viti 2022 e në vijim, periudhë gjatë së cilës, pretendon Berisha, kartelet shqiptare të drogës kanë zgjeruar ndikimin e tyre në tregun evropian të kokainës dhe kanë shtuar aktivitetin financiar.
“Me gjithë 9 milionë turistë në Shqipëri, euro konvertohej me 127 lekë, pra ishte më e fuqishme sesa në vitin 2007, kur ajo konvertohej me 120 lekë”, deklaroi Berisha.
Ai e cilësoi rënien e euros një zhvillim dramatik për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare, duke akuzuar institucionet për heshtje përballë fenomenit.
“Heshtja para këtij krimi monstruoz ndaj ekonomisë dhe xhepave të shqiptarëve është bashkëfajësi, është mbështetje për këtë zhvillim”, përfundoi kreu i PD-së.
Berisha pretendon se zhvlerësimi i euros lidhet me flukset e parave nga aktiviteti kriminal, ndërsa e kundërshton shpjegimin se turizmi është faktori kryesor që ka ndikuar në kursin e këmbimit.
