Disa fluturime komerciale bënë ulje të paplanifikuara ose u vendosën në gatishmëri të lartë në Francë, Itali, Belgjikë dhe Bullgari, sipas autoriteteve vendase. Aeroplanët bënë ulje të paplanifikuara në Evreux, Francë si dhe në Bullgari. Një fluturim nga Finlanda u ul në Romë sipas planit, por me një eskortë ushtarake, dhe një tjetër u devijua në Bruksel për shkak të një kërcënimi sigurie. Incidenti në Francë u bë i pari i njohur publikisht, por situata të ngjashme ndodhën në orët në vijim.
Një aeroplan pasagjerësh Aer Lingus Airbus A320, që fluturonte nga Dublini në Romë, u devijua në bazën ajrore Évreux në Fauville të Francës, pas një alarmi për kërcënim me bombë.
Zyra e kryeministrit francez tha se situata po monitorohej nga afër për avionin, i cili u devijua për shkak të kërcënimit.
“Po e monitorojmë nga afër situatën në lidhje me avionin e devijuar pas një kërcënimi me bombë”, tha zyra e kryeministrit francez Sebastien Le Corneille, sipas Reuters.
Sipas raportimeve, fluturimi EI402 i Air Lingus u nis nga Aeroporti Ndërkombëtar i Dublinit në orën 6:23 të mëngjesit dhe ishte planifikuar të ulej në Aeroportin Fiumicino Leonardo da Vinci të Romës në orën 10:50 të mëngjesit.
Edhe Greqia është përfshirë në valën e kërcënimeve për bomba në avionët e pasagjerëve që ka përfshirë kontinentin europian ditët e fundit.
Dy avionë të kompanisë greke Aegean Airlines, njëri që udhëtonte nga Athina drejt Vjenës dhe tjetri nga Selaniku drejt Milanos, u vunë në alarm pas telefonatave që paralajmëronin për vendosjen e bombave në bord.
Të dy avionët nuk kanë ndryshuar destinacionin, por kanë përfunduar fluturimet dhe janë ulur në mënyrë të sigurt në destinacionet e tyre. Pas uljes, pasagjerët dhe ekuipazhet u evakuuan, ndërsa autoritetet nisën kontrollet për lëndë shpërthyese.
Këto incidente vijnë pas një serie kërcënimesh në disa vende europiane. Vetëm të martën, të paktën shtatë avionë dhe një anije turistike që i përkiste një kompanie greke u përballën me alarme për bomba.
Nga kontrollet e deritanishme nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Autoritetet po hetojnë nëse kërcënimet kanë lidhje me njëri-tjetrin, ndërsa në shtypin vendas aludohet për hakerat nga Rusia dhe Irani.
