... Nami.al

Veliaj nxjerr blof ish-“mikun” e tij Toni Gogu: Pas 20 muajsh më vizitoi për herë të parë në burg… për mesazhet e Ramës

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka goditur jo vetëm kryeministrin Edi Rama, por edhe ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, pas takimit që ky i fundit zhvilloi me të, të premten në burgun e Fierit

Veliaj duke zbardhur detaje nga biseda me ministrin, duke nxjerrë në pah edhe marrëdhënien e mëparshme personale mes tyre. Sipas tij, Gogu e ka vizituar për herë të parë në burg pas plot 20 muajsh.

Veliaj e ka përshkruar takimin me Gogun me një fjali domethënëse: “Toni Gogu vjen në takim pas 20 muajsh”.

Marrëdhënia mes dy personazheve ka qenë më herët shumë e afërt, jo vetëm në aspektin politik, por edhe në atë personal. Toni Gogu ka qenë mik i Veliajt dhe ka marrë pjesë në ceremoninë e martesës së tij me Ajola Xoxën, në rolin e pastorit.

Edhe karriera politike e Gogut është lidhur me Veliajn. Në vitin 2017, kur u emërua zëvendësministër i Drejtësisë, u evidentua edhe miqësia e tij me kryebashkiakun e Tiranës dhe e kaluara si pastor protestant.

Dy vite më vonë, më 30 korrik 2019, Gogu u zgjodh kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, në kohën kur Veliaj drejtonte institucionin.

Por ajo që e bën edhe më të fortë reagimin e Veliajt janë pretendimet për mesazhet që, sipas tij, ministri Gogu i ka përcjellë në emër të kryeministrit Edi Rama.

Veliaj pretendon se transferimi në burgun e Fierit dhe izolimi i tij janë urdhëruar personalisht nga Rama, duke anashkaluar edhe ministrin e Drejtësisë.

Kryebashkiaku pretendon se pas këtij vendimi qëndrojnë tri kërkesa konkrete që i janë paraqitur përmes Gogut.

E para, sipas Veliajt, është pranimi i përfshirjes në çështjen e njohur si “Flamingot”, me paralajmërimin se në të kundërt mund t’i shtohen akuza të tjera, përfshirë edhe atë të “prishjes së rendit kushtetues”.

Kërkesa e dytë, sipas tij, lidhet me heqjen dorë nga Bashkia e Tiranës dhe delegimin e saj te Arbër Hajdari. Ndërsa kërkesa e tretë ka të bëjë me ndërprerjen e konsultimeve me avokatin Plarent Ndreca.

Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë kishte konfirmuar më herët takimin me Veliajn në burgun e Fierit, duke deklaruar se vizita kishte për qëllim njohjen me kushtet e trajtimit të tij dhe dëgjimin e ankesave të ngritura publikisht nga avokati.