... Nami.al

Protesta/ Pezullohet efektivi i Shqiponjave që dhunoi protestuesin me shkop gome, nisin hetimet për rastin e të riut që u dëmtua në sy

Policia e Shtetit ka njoftuar nisjen e hetimeve për incidentet e regjistruara gjatë protestës së djeshme në Tiranë, ku mbetën të plagosur pesë punonjës policie dhe u dëmtua në sy 28-vjeçari Erjon Vishkulli. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë protestës, e cila zgjati deri në orët e mbrëmjes, efektivët u sulmuan me gurë, shkopinj, lëndë piroteknike, bomba Molotov dhe mjete të tjera.

Lidhur me rastin e të riut të dëmtuar në sy, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka urdhëruar hetimin e plotë dhe të paanshëm të rrethanave nga Drejtoria e Standardeve Profesionale. Për të njëjtin incident, hetimet kanë nisur edhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria.

Ndërkohë, pas publikimit në media të pamjeve ku një efektiv dyshohet se ka tejkaluar kompetencat dhe ka shkelur parimin e proporcionalitetit, është pezulluar nga detyra inspektori A. K., pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

Ndaj tij ka nisur gjithashtu një hetim administrativ për të sqaruar veprimet e kryera gjatë protestës. Policia e Shtetit shprehu keqardhjen për të gjithë qytetarët, gazetarët dhe punonjësit e policisë të lënduar, duke u uruar shërim të shpejtë.

Në përfundim, institucioni theksoi se çdo rast i dyshuar për tejkalim të detyrës do të hetohet me paanshmëri dhe profesionalizëm, duke nënvizuar se respektimi i ligjit dhe proporcionaliteti në përdorimin e forcës janë parime të panegociueshme.

Njoftimi i Policisë:

Gjatë ditës së djeshme, Policia e Shtetit bëri thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe shmangien e akteve të dhunës gjatë protestës së planifikuar mesditën e datës 24.10.2026.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u kërkoi drejtuesve të shërbimeve dhe punonjësve të angazhuar në terren vetëpërmbajtje dhe zbatim të parimit të proporcionalitetit në rast të përballjes me akte dhune.

Gjatë protestës, e cila zgjati deri në orët e mbrëmjes së djeshme dhe u shtri në disa pjesë të kryeqytetit, punonjësit e Policisë së Shtetit u sulmuan për orë të gjata me gurë, vida e sfera metalike, shkopinj druri e metalikë, lëndë piroteknike, bomba Molotov dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë. Si pasojë e sulmeve të personave të maskuar dhe të dhunshëm, 5 punonjës policie u plagosën.

Lidhur me incidentin gjatë të cilit 28-vjeçari E. V. pësoi dëmtim në sy, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi nisjen e menjëhershme të veprimeve përkatëse nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, për hetimin e plotë dhe të paanshëm të rrethanave të ngjarjes.

Po në lidhje me këtë rast, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit.

Policia e Shtetit shpreh keqardhjen për lëndimin e të riut gjatë protestës dhe i uron atij shërim sa më të shpejtë, ashtu si të gjithë qytetarëve, gazetarëve dhe punonjësve të Policisë që janë lënduar gjatë protestave në Tiranë.

Ndërkohë, pas publikimit në media të një rasti ku një punonjës policie shfaqet në tejkalim të detyrës dhe mosrespektim të parimit të proporcionalitetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pezulloi nga detyra punonjësin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, inspektor A. K., dhe ndaj tij Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin administrativ.

Mbrojtja e jetës, shëndetit dhe sigurisë së çdo qytetari është një detyrim parësor i Policisë së Shtetit dhe do të hetohet me paanshmëri e profesionalizëm çdo rast i dyshuar për tejkalim të detyrës.

Respektimi i ligjit, proporcionaliteti në përdorimin e forcës dhe përgjegjësia individuale janë parime të panegociueshme në ushtrimin e detyrës policore.

Policia e Shtetit mbetet e vendosur të mos tolerojë asnjë veprim që bie ndesh me ligjin, me të drejtat e qytetarëve dhe me standardet profesionale që duhet të udhëheqin punën e çdo punonjësi të saj.