Kryeministri Edi Rama ka ndarë së fundmi në rrjetet sociale një video nga takimi me një 27-vjeçar me aftësi të kufizuara, i cili ka vizituar ambientet e Kryeministrisë. Përmes një postimi në Facebook, Rama ka publikuar mesazhin që i riu i kishte dërguar, ku ai i shkruante se kishte dëshirë që ta takonte personalisht, si dhe pamjet nga takimi mes tyre.
Në mesazhin e tij, 27-vjeçari i drejtohet kryeministrit duke i shprehur dëshirën për ta takuar nga afër, duke theksuar se nuk kishte asnjë interes apo kërkesë të veçantë, por se për të do të ishte një moment i paharrueshëm.
“Përshëndetje, zoti Kryeministër Edi Rama! Jam një djalë 27-vjeçar nga Shqipëria, person me aftësi të kufizuara, dhe përdor karrocë me rrota. Kam një dëshirë shumë të madhe nga zemra, që një ditë të kem mundësinë t’ju takoj personalisht. Nuk ju shkruaj për ndonjë interes apo për të kërkuar diçka, por sepse do të ishte një kënaqësi e madhe për mua të takoja kryeministrin e vendit tim.
Ndonjëherë, një takim i shkurtër mund të ketë shumë kuptim për një njeri dhe për mua, do të ishte një moment që do ta mbaja mend gjatë gjithë jetës. Do të kisha shumë dëshirë t’ju përshëndesja nga afër dhe nëse do të ishte e mundur, të bënim edhe një fotografi së bashku, si kujtim nga ky takim. E di që keni shumë angazhime, por shpresoj të gjeni mundësinë për të më kushtuar disa minuta nga koha juaj. Nuk kërkoj asgjë më shumë,” shkruan ai në mesazh.
Kreu i qeverisë e ka shoqëruar videon me një mbishkrim, përmes të cilit e ka cilësuar të riun si një vizitor të veçantë.
“Një vizitor i veçantë pa gurë në xhep, po me zemrën në vendin e duhur”, shkruan Rama.
