Kryeministri Edi Rama deklaroi se protestat e dhunshme kishin për qëllim të provokonin policinë për të krijuar një situatë të ngjashme me 21 Janarin. Rama tha se gjatë protestave është neutralizuar edhe një dron me eksploziv që, sipas tij, synonte Kryeministrinë.
“Donin të provokonin një tjetër 21 Janar, për të provokuar policinë, duke, larg qoftë, krijuar një situatë simetrike me 21 Janarin. Kemi qenë shumë të vetëdijshëm. Kemi neutralizuar edhe një sulm me dron me eksploziv ndaj Kryeministrisë. Me këtë vetëdije ka qenë një vijë e kuqe shumë e qartë për të gjithë. Edhe ata që janë me kapuç janë fëmijët e këtij vendi. Janë të verbër, janë të manipuluar, janë të braktisur, ndoshta ndonjëri edhe nga vetë familja e vet, por janë fëmijët e këtij vendi.
Dhe është e frikshme të shikosh se si nëpër ekrane njerëz që marrin përsipër të përfaqësojnë opinionin publik, akuzojnë Policinë e Shtetit për dhunë disproporcionale. Në Francë raporti është 1 me 2.5, në Itali raporti është 1 me 2. Kush ankohet se ishte aty për paqe, duhet ta dijë se nuk duhet t’u shkojë nga mbrapa. Se policia nuk futet në turmë për të bërë balet, por për të goditur ata që e godasin. Kush rri rreth tyre është me ata dhe jo me paqen dhe me protestën e qetë”, tha Rama.
