... Nami.al

Protestat në Tiranë, reagon Komuniteti Mysliman i Shqipërisë

Në një deklaratë zyrtare, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë thotë se po ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit në vend dhe protestat që po zhvillohen, duke shprehur shqetësimin për çdo situatë që mund të cenojë paqen sociale, sigurinë dhe bashkëjetesën mes qytetarëve.

“Ne besojmë se e drejta për t’u shprehur, për të protestuar dhe për të kërkuar llogaridhënie është pjesë e rëndësishme e jetës shoqërore, ndërsa ruajtja e paqes, respekti ndaj tjetrit dhe shmangia e çdo forme dhune janë përgjegjësi e përbashkët e të gjithëve”.

“Në këto momente, nevojiten reflektim i sinqertë, urtësi dhe përgjegjësi nga të gjithë, për të vlerësuar pasojat e fjalëve dhe veprimeve tona mbi jetën e përbashkët. U bëjmë thirrje institucioneve t’u përgjigjen me seriozitet kërkesave të qytetarëve dhe të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje, maturi dhe përgjegjësi, duke shmangur gjuhën nxitëse, urrejtjen dhe çdo veprim që mund të thellojë përçarjen mes qytetarëve, duke vendosur dinjitetin njerëzor, sigurinë dhe të mirën e vendit në qendër të çdo vendimmarrjeje”, thuhet mes të tjerash në deklaratë.

Sipas Komunitetit Mysliman çdo mosmarrëveshje, sado e ndërlikuar të jetë, duhet të kërkojë zgjidhje përmes dialogut, dëgjimit të ndërsjellë dhe respektimit të ligjit e institucioneve.