Kryeministri Edi Rama, në një komunikim në Facebook, ka kujtuar ngjarjet e 21 Janarit, duke bërë një paralelizëm me protestat e fundit në kryeqytet.
Rama, tha se i ka ende të freskëta kujtimet e 21 Janarit, kur pati disa zjarre sporadike në këtë perimetër, por nuk u prek asnjë institucion, nuk u hodh asnjë molotov dhe nuk u dëmtua apo dogj askush nga forcat e rendit.
Ai kujtoi se atë ditë u vranë me plumba katër protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, të cilët, ndryshe nga sot, nuk mund të shkonin as në spital, pasi i priste druri.
Rama: Jam përpjekur të mos përfshihem dhe të ndjek e koordinoj me shumë durim një përpjekje për të mos rënë në kurthin e ngritur të dhunës që kërkon gjak. Unë e di historinë e këtij bulevardi, e njoh mirë, i kam ende të freskëta në kujtesë ato që ndodhën në 21 janar ku pati disa zjarre sporadike tek-tuk në këtë perimetër, jo një kazan, po ku nuk u prek në asgjë, asnjë institucion, ku nu u hodh asnjë molotov, ku nuk u dëmtua dhe nuk u dogj askush nga forcat e rendit dhe kur u vranë me plumba 4 protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, që ndryshe nga sot nuk shkuan dot as në spital se i priste përsëri druri dh eu mjekuan në shtëpi. Përtej faktit që ata që qllojnë me gurë, zare hekuri e vida për t’i nxjerrë sytë policisë janë kriminelë, e kam parasysh që ata janë fëmijë të verbër të Shqipërisë dhe jeta e tyre vlen më shumë se çdo gjë tjetër në fund të ditës. Vetëpërmbajtja është A dhe Zh e kësaj historie.
