Pas rreth 90 minutash përplasjesh me gurë dhe sende të forta para Kryeministrisë, efektivët kanë nisur ndërhyrjen për shpërndarjen e protestuesve. Turma është zhvendosur përballë ish-hotel “Dajtit”, ndërsa policia është pozicionuar pranë Piramidës.
TIRANË – Efektivët e Policisë së Shtetit kanë nisur shpërndarjen e protestuesve që prej rreth një ore e 30 minutash qëndronin para Kryeministrisë, ku sipas raportimeve janë hedhur gurë dhe sende të forta në drejtim të forcave të rendit.
Pas ndërhyrjes së policisë, protestuesit janë larguar nga sheshi para Kryeministrisë dhe janë zhvendosur në zonën përballë ish-hotel “Dajtit”.
Ndërkohë, efektivët janë pozicionuar pranë urës së madhe të Lanës, në afërsi të Piramidës, për të kontrolluar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.
Zhvillimet vijnë në kuadër të protestës në kryeqytet, e cila është shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe policisë, si dhe me dëmtime të raportuara në disa institucione.
Situata në zonën e protestës mbetet dinamike, ndërsa priten informacione të mëtejshme për vijimin e tubimit dhe bilancin e ndërhyrjes së forcave të rendit.
