... Nami.al

Rama në një nga kioskat e djegura: Nuk janë studentët, e gjithë kjo flamë nuk është studentore

Nga një prej kioskave të djegura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kryeministri Edi Rama përforcoi të njëjtën deklaratë të një dite më parë se pas sulmeve në kryeqytet nuk qëndrojnë studentët.

“Kjo është gërmadha e jetës që humbën shqiptarët për 30 sekonda. Jetojnë në shtëpi më të mira, më të forta. Si mund të jenë studentët, si mund të jetë investimi i prindërve tek fëmijët e tyre kjo gërmadhë? Kjo nuk ka lidhje me studentët, e gjithë kjo flakë nuk është studentore. E gjithë kjo pengmarrje me maska s’ka të bëjë me hallet, problemet, aspiratat e gjithkujt që do të jetë më i mirë. Është po ajo dorë që ka kapur për fyti opozitën shqiptare. Që është gati të djegë e ta shkatërrojë përsëri Shqipërinë. Lëvizje qorre që urrejtja më e verbër është e vetja dritë arsyeje. Këta nuk janë studentët, as ata që marrin peng qytetin gjatë ditës nuk janë studentët, e as ata që në mbrëmje predikojnë lëvizjen, përpjekjen, revoltën studentore s’kanë të bëjnë me ju. Si mund të nxirren të miturit në rrugë, si mund të nxiten të miturit të vënë maska, të shkulin trotuarët që mirëmbahen përditë me taksat tuaja dhe të qëllojnë policinë. Si mund të rrezikohet jeta e të miturve duke u hedhur në rrugë për agjentë të tjerëkujt.

Dora e vjetër e keqe që e ka ndjekur Shqipërinë si mallkim, sot mbështetet nga duar të tjera, të huaja që nuk e duan Shqipërinë të qetë, të shohë drejt, të ecë përpara dhe të merret me problemet e saj për t’u përmirësuar, që nuk e duan Shqipërinë pjesë të BE. Nuk e duan Shqipërinë të lirë për të qenë aty, së bashku me popujt e tjerë të BE. A ju duket rastësi që sapo çelet një tjetër dritë jeshile, sapo afrohet më shumë drejt asaj abisine këtu plas flaka? Nuk është rastësi. E gjithë kjo nuk është rastësi. Është një sprovë, test i karakterit tonë dhe është një tjetër hap që ne do ta hedhim së bashku përballë një pengese të madhe që na është vënë përpara.

Studentët, sipërmarrësit, të gjithë njerëzit e zakonshëm, kanë të drejtë të kërkojnë më shumë. Problemet janë aty, jemi këtu për të bërë më të mirën me aq sa dimë e mundemi duke u përpjekur të mësojmë e të bëjmë më shumë. E kemi sjellë Tiranën deri këtu. S’e ka sjellë koha e rrethanat, por një punë këmbëngulëse. E kush thotë të përkulemi përballë dhunës për pak qetësi, gabon. Durim dhe dhe kjo do të kalojë, se pasi kjo të kalojë do të dalim siç kemi dalë nga sprovat e tjera, më të fortë e të vetëdijshëm për sfidën e përbashkët që kemi përpara”, tha Rama.