... Nami.al

“Regjim gangsterësh, qytetarët mezi shtyjnë muajin”, Berisha tregon nga Dibra historinë me një pacient që e tronditi

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndodhet në Dibër, ku po mban “Foltoren e Ripërtëritjes” në Dibër.

Berisha foli për gjendjen ekonomike e sociale në vend, duke thënë se situata është dramatike.

Sipas tij, rinia nuk mundet të blejë dot një apartament dhe pensionistët mezi arrijnë fundin e muajin.

“Gjendja në vend është dramatike. Rinia nuk mundet që të blejë dot një apartament. Rinia në Dibër dhe në Shqipëri nuk e sheh dot të ardhmen në vendin e vet, por arratiset në rrugët e botës. Edhe pensionistët janë në gjendje të rëndë, teksa pensioni nuk del as për ilaçe, ujë e drita. Dje qarkullonte një lajm, që leku është forcuar ndaj çdo monedhe. Ky është ndëshkim për çdo shqiptar. Si ndodhi që leku doli më i fortë se çdo monedhë tjetër? Kjo është forcë e rreme dhe fatkeqësi.

Shqipëria është kthyer në një vend narkos dhe trafikantët janë ata që përfitojnë. Pasojat për ekonominë janë shkatërrimtare për ekonominë. Fermeri i Dibrës që shet mollën jashtë, e shet me euro, por të gjitha shërbimet ia bën me lekë. Punësimi ka rënë, teksa edhe tekstilet kanë falimentuar. Mijëra vende pune janë asgjësuar dhe shqiptarët kanë marrë rrugët e vendeve të huaja. Ky është regjim gangsterësh”, tha Berisha.

Berisha deklaroi se “Shqipëria rrallë ndonjëherë në histori është rrokullisur siç është rrokullisur këto 14 vite”.

“Kurrë ndonjëherë nga vitet 1300 të murtajës së zezë dhe gjer sot, trojet tona në Shqipëri nuk janë pakësuar nga shqiptarët me një shpejtësi të tillë sa këto 10 vite. Kurrë ndonjëherë nuk ka ndodhur në asnjë pushtim, në asnjë luftë që lindshmëria, fëmijët që lindin në një vit, të jenë të njëjtë me ata që lindnin 100 vite më parë. Por, rrallë ndonjëherë ka ndodhur që qindra mijëra shqiptarë të përballen me skamjen e egër. Në vitin 1986 kam ardhur në këtë qytet të bekuar. Kam punuar tre muaj në spital dhe ndonjëherë me kolegët shkonim në ndonjë fshat përreth për ndonjë të sëmurë. Një ditë do dilte nga spitali një nga të sëmurët që ishim kujdesur për të. I bëra recetën gati dhe u ula pranë shtratit të tij që t’i shpjegoja ilaçet. Kushtonin gjithsej 12 qindarka. Ai ishte me hipertension. Ia shpjegova. Burrë fisnik, nuk e mori recetën. Doktor, më tha, faleminderit shumë, por nuk e marr. Pse, i thashë unë, 12 qindarka janë. Unë 15 qindarka marr ditën e punës dhe me to duhet të blej bukën bashkë me shoqen time, gruan që kam në shtëpi. Ndaj dhe nuk e marr. Ajo në fakt më tronditi shumë. Por absolutisht sot në shumë e shumë, në qindra e mijëra raste është pothuaj e njëjta situatë. Si? Sot mbi 460 mijë pensionistë marrin pensione të pjesshme.

Por çfarë do të thotë pension i pjesshëm? Pension i pjesshëm do të thotë 6 mijë lekë, 8 mijë lekë, 9 mijë lekë më pak. Mijëra e mijëra të tjerë marrin 3 mijë lekë ndihmë ekonomike. Tani të shkojmë pak pranë tij. Çfarë mund të bëjë ai me 3 mijë lekë ndihmë ekonomike? Ai mund të blejë një javë, maksimumi dy ushqim. Asnjë ilaç, njëlloj si i sëmuri im në vitin 1986 në kulmin e kooperativizmit që nuk i merrte dot ilaçet”, tha Berisha.

“Edhe pensionisti sot nuk i merr dot ilaçet. Çfarë ndodh? Mbetet pa mjekim. Në mënyrë mizore i kanë hequr një pjesë të mirë të ilaçeve më të zakonshme për ta nga rimbursimi. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që ai nuk i blen dot. E tregova disa herë, një mik ka qenë person i shquar në fushën e vet dhe ka një pension nga më të mirat, por thotë shkova në farmaci dhe desha të blej ilaçin që të hollon gjakun. Farmacistja më tha që është hequr nga rimbursimi. Bëra hesapin, ai ilaç po ta merrja më kushtonte tre muaj pensionin. Ai ka pension të lartë, por një pension i zakonshëm, shtatë muaj pension. Ja ku jemi pra, shndërruar në një mënyrë ose në një tjetër në një spital të madh dhimbjesh njerëzore”, shtoi Berisha.