... Nami.al

“Ata nuk janë çmendur” – Komandanti amerikan i NATO-s paralajmëron Rusinë

Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan i Forcave Ajrore Alexus Grynkewich, ka paralajmëruar Rusinë se çdo sulm ndaj një vendi anëtar të aleancës do të përballej me një përgjigje të gjerë ushtarake.

Duke folur të hënën në Forumin e Sigurisë në Varshavë, Grynkewich tha se NATO është një aleancë mbrojtëse, por do të ishte e gatshme të ndalonte dhe të thyente çdo sulm ndaj territorit të një prej vendeve anëtare, në mënyrë që një agresion i tillë të rezultonte “plotësisht i kotë”.

“Nëse dikush do të ishte aq i pamatur sa të na sulmonte, ne do të luftonim. Do ta ndalonim sulmin dhe do t’u mohonim mundësinë për të arritur objektivat e tyre, cilado qofshin ato. Shkurt, do të sigurohemi që çdo sulm ndaj çdo aleati të rezultojë plotësisht i kotë”, u shpreh Grynkewich.

Gjenerali amerikan dha gjithashtu një mesazh të qartë se përgjigjja e NATO-s, nëse do të ishte e nevojshme, nuk do të kufizohej vetëm te forcat që do të ndodheshin në zonën ku do të zhvillohej sulmi, sipas Reuters,

“Nëse kundërshtari zgjedh ta vazhdojë sulmin ose të angazhojë rezervat e tij, ne do ta thyejmë sistemin luftarak të përfshirë kundër nesh”, deklaroi ai.

“Kjo përfshin jo vetëm vetë forcën sulmuese, por gjithçka që e mbështet, e furnizon, e mban në këmbë dhe e kontrollon atë forcë”, theksoi Grynkewich.

Edhe pse në fjalimin e tij nuk e përmendi drejtpërdrejt Rusinë, mesazhi i komandantit të NATO-s ishte qartësisht i drejtuar ndaj Moskës. Paralajmërimi vjen në një kohë të tensioneve në rritje mes Rusisë dhe vendeve evropiane, të cilat e kanë akuzuar Moskën për intensifikimin e aktiviteteve të sabotimit, inkursioneve me dronë dhe sulmeve kibernetike.

Rusia, nga ana tjetër, kishte paralajmëruar muajin e kaluar se do të përdorte armë bërthamore nëse NATO do të përpiqej të izolonte enklavën ruse të Kaliningradit. Në Konceptin Strategjik të NATO-s të vitit 2022, Rusia përcaktohet si kërcënimi më i rëndësishëm ndaj sigurisë së aleancës.