Azerbajxhani është vendi që del në qendër të hetimit ndaj ish-kreut të inteligjencës gjermane August Hanning, i arrestuar nën dyshimet për spiunazh dhe tradhti.
Sipas një raportimi të “Der Spiegel”, personi që dyshohet se porositi një analizë sigurie nga Hanning ishte një operativ i inteligjencës së Azerbajxhanit.
Hetuesit po shqyrtojnë nëse Hanning përdori informacione të klasifikuara, të siguruara nga një zyrtar i lartë i BND-së, për përgatitjen e analizës dhe nëse ajo iu dorëzua përfundimisht operativit azerbajxhanas.
Identiteti i shtetit të huaj nuk ishte bërë publik kur autoritetet gjermane njoftuan arrestimin e ish-kreut të BND-së.
Prokurorët kishin deklaruar vetëm se Hanning dyshohej se kishte përdorur informacione të klasifikuara në një analizë të përgatitur për një person të lidhur me një shërbim të huaj inteligjence.
Raportimi i ri e lidh këtë person me Azerbajxhanin.
Lidhjet e Hanning me përfaqësues azerbajxhanas kanë qenë të dokumentuara edhe më parë. Sipas raportimit, 80-vjeçari ka qenë anëtar i bordit të Forumit Gjermano-Azerbajxhanas, fakt i dokumentuar edhe në një deklaratë të organizatës të publikuar në korrik 2025.
Hanning, i cili drejtoi BND-në nga viti 1998 deri më 2005, u arrestua të martën në banesën e tij në Nordwalde, pranë Münsterit. Në Bavari u arrestua gjithashtu ish-bashkëpunëtori i tij, Manfred D.
Ky i fundit kishte shërbyer si shef kabineti i Hanning dhe më pas kishte vazhduar të mbante poste të larta në BND deri në mars 2026.
Sipas hetuesve, të dy dyshohet se kishin arritur që në pranverën e vitit 2010 një marrëveshje sipas së cilës Manfred D. do t’i siguronte Hanning informacione të inteligjencës kundrejt pagesës.
Prokurorët dyshojnë se informacionet e klasifikuara u përdorën nga Hanning edhe gjatë aktivitetit të tij privat si konsulent sigurie.
