...
Aktivisti Edison Lika, në protestën e 111 qytetare, kritikoi reformat e ndërmarra ndër vite nga Partia Socialiste, duke thënë se ato nuk kanë pasur në qendër qytetarin.
Sipas tij, këto reforma kanë shërbyer për forcimin e pushtetit. Lika deklaroi se protesta ndaj qeverisë nuk ka qenë e lehtë që në nisje, ndërsa akuzoi regjimin për blerje dhe vjedhje votash, si dhe korrupsion.
“Të gjitha reformat që ka bërë PS gjithë këto vite nuk kanë pasur në qendër qytetar, por vetëm betonizimin e pushtetit. Luftën përballë këtij regjimi e kemi ditur që në fillim që nuk do ta kishim të lehtë. Ky regjim e ka betonizuar pushtetin me blerje votash, me vjedhje votash me korrupsion. Por dua t’u them që çdo ditë që ne dalim në shesh e gërryejmë nga brenda regjimin e Ramës. Për ne çdo ditë që dalim është plus një ditë protestë dhe për atë është minus një ditë pushtet”, tha ai.
Aktivisti Edison Lika ka bërë thirrje për vijimin e qëndresës qytetare, duke u shprehur se rezistenca duhet të jetë pjesë e jetës së përditshme dhe jo vetëm e protestave në shesh.
Lika u bëri thirrje qytetarëve të reagojnë ndaj padrejtësive, pasi kjo mënyrë reagimi do t’ua vështirësonte qeverive të ardhshme të bëjnë gabime ndaj qytetarëve.
Lika tha gjithashtu se, sipas tij, ndryshimi nuk arrihet përmes pjesëmarrjes vetëm për pak ditë apo përmes aksioneve për t’u futur në kryeministri, por me qëndrese të vazhdueshme.
“Ne duhet të reagojmë dhe të rezistojmë kudo që jemi. Duhet të reagojmë në punë, të reagojmë kur shikojmë një padrejtësi në rrugë, të reagojmë ndaj policisë së shtetit, ku, pavarësisht se dikush është familjar i yni dhe bën një gabim, duhet të jemi shërbëtorë të demokracisë. Kjo është gjëja më e rëndësishme që duhet të mësojmë nga kjo protestë.
Nëse kemi mësuar këtë, atëherë secili që do të vijë pas Edi Ramës do ta ketë shumë të vështirë që të bëjë gabime me këtë popull.
Ju lutem, shpërndajeni fjalën dhe të bëhemi sa më shumë, sepse ata që na ndjekin nga shtëpia mendojnë se vetëm duke qenë dakord me ne po na mbështesin. Kjo protestë ka pasur mbështetje popullore më shumë se çdo protestë tjetër që është bërë në Shqipëri, ama ju kërkojmë atyre qytetarëve: protesta nga diçka shumë e bukur dhe e jashtëzakonshme, sigurisht që do të bëhej rutinë. Edhe rutina kërkon qëndrestarë.
Ky regjim nuk rrëzohet me dy ditë në protestë, as duke u futur brenda në Kryeministri. Ky regjim rrëzohet me njerëz që rezistojnë dhe e kanë ndarë mendjen të jenë këtu deri në fund”, tha Lika.