... Nami.al

Doli dëshmitar në Hagë në mbrojtje të Thaçit, Christopher Hill: Nuk ka dhënë asnjë urdhër kriminal. Jam shumë i zhgënjyer nga vendimi

Ish-i dërguari i SHBA-ve në Kosovë Christopher Hill në një intervistë në Klan News ka komentuar dënimin me 81 vite burg për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hill e vlerësoi lart figurën e Hashim Thaçit, duke thënë se ai ishte një komandant i zoti dhe shumë i pjekur për moshën që kishte.

Hill theksoi se nuk e beson se Thaçi është përfshirë në vepra të paligjshme.

“Hashim Thaçi ishte një personalitet dhe tepër i pjekur për moshën që kishte. Thaçi e kuptoi se Kosova duhet të ishte në një pozitë më të mirë dhe e kam vlerësuar gjithmonë atë. Unë nuk e besoj se ai është përfshirë në krime. Nuk e kam ndjerë nocionin se Thaçi të jetë përfshirë në vepra të paligjshme”, deklaroi Hill.

Më tej vlerësoi se populli shqiptar nuk duhet që të ketë mllef, por shpresë tek fjala e Apelit të Hagës.

“Unë do të apeloja që të mos ketë mllef për këtë vendim. Duhet të shohim përpara dhe të kemi shpresë se vendimi i Apelit do të jetë në favor të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, nënvizoi Hill.

Hill theksoi se kur ka qenë në Kosovë në vitet 1998’-99’ situata në terren ishte e rëndë. Ai tha se Thaçi nuk ka pasur komandim të përgjithshëm të UÇK-së dhe se vetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte një ushtri e rregullt, por më shumë një përfaqësi njerëzish, që i bashkonte dëshira për liri e pavarësi të Kosovës.

Sipas tij, situata nga gjenocidi serb ishte kaq e rëndë, sa zgjidhja ishte e detyruar të ishte me bombardime.

Intervista

A ishin befasi për ju dënimet për ish-krerët e UÇK-së?

Christopher Hill: Unë kam dalë si dëshmitar në emrin e Thaçit, sepse unë besoj se nuk ka qenë i përfshirë në veprimtari të paligjshme. Fatkeqësisht gjyqtarët morën vendimin e kundërt dhe unë po isha shumë i zhgënjyer.

Pritshmëritë kanë qenë që z. Thaçi dhe të tjerët do të dilnin të pafajshëm.

Christopher Hill: Vendimet gjyqësore janë të vështira të parashikohen, pasi shqyrtohen shumë prova. Nuk u surprizova, sepse seanca të tilla gjyqësore shkojnë sipas mënyrës së tyre. Mund të them se isha tepër i zhgënjyer.

Ju keni qenë i dërguar special i SHBA-ve në Kosovë më 1998-99. Keni takuar Thaçin dhe UÇK-në. A keni parë diçka që ngjan si sipërmarrje e përbashkët kriminale?

Christopher Hill: Unë nuk kam parë asnjë sipërmarrje të përbashkët kriminale. Unë përpiqem të gjej një mënyrë për të ecur përpara, që do të çojë të gjitha palët të shikojnë drejt së ardhmes. Kur isha në Kosovë më 98’-1999 situata ishte tepër e vështirë. Situata në Kosovë ishte e rëndë, sepse duhet të përdornim bombardimet për ta zgjidhur problemin. Unë asnjëherë nuk e pashë këtë “sipërmarrjen e përbashkët kriminale”. Unë thashë në Hagë se UÇK-ja nuk ishte një organizatë e strukturuar. UÇK-ja kishte kapacitete, që ishin të limituara. Por gjykata nuk ra dakord me fjalët e mia.

Ju thatë se Thaçi nuk kishte rol drejtues. Mendoni se Prokuroria duke e quajtur z Thaçi si drejtues të UÇK-së ishte shumë e dëmshme për të?

Christopher Hill: Unë isha në Hagë vetëm për pjesën që lidhej me dëshminë time. Thaçi nuk kontrollonte çdo gjë në terren. Nuk kishte një autoritet qendror, që të mund të jepte urdhra në atë kohë.

Çfarë organizimi kishte UÇK?

Christopher Hill: UÇK ishte një organizatë, që donte pavarësinë dhe lirinë e Kosovës. Unë nuk ndjeva se kishte ndonjë organizim të mirfilltë vertikal, ku mesazhet nga kreu do të ekzekutoheshin nga pjesa poshtë. Në atë kohë, kishte shumë njerëz që donin të ishin në krye të UÇK-së, që të ishte ushtri e mirëfilltë, që të merreshin më seriozisht nga vendet e perëndimit.