... Nami.al

Protesta e 110-të/ Aktivistja Sidorela Vatnikaj: Asnjë arrestim nuk na ndalon. Do të jemi sërish tek Parlamenti

Aktivistja Sidorela Vatnikaj ka folur mbrëmjen e sotme nga protesta e 110-të e pandërprerë kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e tij.

Vatnikaj tha se protestuesit do të vijojnë të mblidhen çdo ditë përballë Kryeministrisë, ndërsa të enjten do të jenë sërish pranë Parlamentit.

Duke folur për protestën para Parlamentit, aktivistja pretendoi se disa qytetarë janë arrestuar nga policia pa arsye, ndërsa theksoi se protestuesit nuk do të tërhiqen pavarësisht ndërhyrjeve të policisë.

Aktivistja Sidorela Vatnikaj: Jemi në ditën e 110-të të protestës së pandërprerë. Vijmë këtu, në këtë shesh, me vendosmëri për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Kemi kërkuar që ky sistem i dhunës të marrë fund.

Edhe sot ishim para Parlamentit për t’ua kujtuar atyre deputetëve që nuk na përfaqësojnë ne. Me të njëjtën dhunë si ajo e Zvërnecit, shumë qytetarë janë arrestuar sot gjatë protestës te Parlamenti, pa asnjë arsye nga policia e pushtetit.

Dhuna dhe represioni policor nuk ka ndalur aty, sepse burrat që ishin pranë Komisariatit Nr. 1 janë arrestuar edhe nga efektivë të Shqiponjave, duke tejkaluar ligjin.

E drejta për protestë dhe tubim është e drejtë themelore kushtetuese dhe ne do të jemi këtu çdo ditë përballë Kryeministrisë, dhe do të jemi çdo të enjte në seancat e Parlamentit për të thënë që ne i njohim të drejtat tona dhe nuk do të na frikësoni, as me policë, as me forca Shqiponja, as me dhunë, as me gaz, as me sprej dhe asnjë arrestim nuk na ndalon për të kërkuar dorëheqje.

Jemi këtu jo vetëm për t’u treguar pushtetit që nuk dorëzohemi, por edhe për ta parë njëri-tjetrin në sy, për t’i thënë që do të jemi këtu çdo ditë, se nuk ka një rrugë tjetër përveç rrugës që të çon te liria, te e drejta, te dinjiteti. Nuk ka një rrugë tjetër.

Ne kemi zgjedhur të jetojmë në vendin tonë, kemi zgjedhur t’i ndërtojmë familjet tona me punë të ndershme, kemi zgjedhur të mos bëhemi as kriminelë e as patronazhistë, por kemi zgjedhur të jemi këtu dhe të qëndrojmë këtu përballë këtij pushteti që jo vetëm na vjedh, na kriminalizon, por tenton të na shtypë me dhunë.