... Nami.al

Ping-pong me proporcionalitetin, vendimi për Veliajn, GJL e pason te Apeli i Posaçëm

Kur Gjykata Kushtetuese riktheu për shqyrtim në Gjykatën e Lartë kërkesën e kryebashkiakut Erion Veliaj për të shfuqizuar masën e sigurisë arrest me burg, vendimi shoqërohej me kushtëzimin se kjo gjykatë duhet të arsyetojë nëse masa e arrestit është proporcionale përballë akuzave dhe rrezikshmërisë së të akuzuarit, si edhe ndikimin e kësaj mase në ushtrimin e mandatit prej Veliajt si i zgjedhur vendor.

Por, Gjykata e Lartë me vendimin e marrë këtë të martë, duket se ka bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh përballë urdhrit të marrë nga Kushtetuesja, që qëndron në majën e piramidës së drejtësisë shqiptare.

Jo vetëm kaq, kolegji penal i Gjykatës së Lartë thotë në arsyetimin e vendimit për të lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg, se për ‘proporcionalitetin e kësaj mase është shprehur Gjykata e Apelit të Posaçëm’.

Më shumë se sa bazë juridike për të mbështetur vendimin e dhënë, Gjykata e Lartë ka bërë ping-pong, duke hequr përgjegjësinë nga vetja dhe duke e rikthyer këtë përgjegjësi te gjykatat e SPAK.

Me logjikën e ndjekur nga Gjykata e Lartë, atëherë edhe Gjykata e Apelit mund të arsyetojë në vendimet për kërkesa dhe çështje të ngjashme se ‘proporcionaliteti, apo rrezikshmëria e një personi nën akuzë’ është shqyrtuar nga shkalla e parë e GJKKO, duke mos marrë në shqyrtim rrethanat e reja të ankuesit, apo edhe faktin që hetimet mund të jenë mbyllur, çështja mund të ketë kaluar për gjykim dhe i akuzuari nuk paraqet më rrezik për prishjen e provave, si në rastin e Erion Veliajt.