... Nami.al

Zjarri në Selenicë/ Digjen 27 hektarë me shkurre e pemë, flakët përfshijnë edhe ullinj shekullorë

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën e Kropishtit në Selenicë, duke djegur dhjetëra hektarë me shkurre dhe pemë, si dhe një numër të konsiderueshëm ullinjsh shekullorë dhe të rinj.

Flakët janë izoluar vetëm në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 04:30, pas një operacioni të zgjatur për neutralizimin e vatrës së zjarrit.

Në aksion për shuarjen e flakëve janë angazhuar banorë të zonës, së bashku me forcat zjarrfikëse të Vlorës dhe Selenicës, të cilët kanë punuar gjatë natës për të vënë nën kontroll situatën.

27 hektarë të përfshirë nga flakët

Si pasojë e zjarrit janë djegur rreth 27 hektarë tokë me shkurre dhe pemë. Dëme të konsiderueshme janë shkaktuar edhe në ullishtet e zonës, ku janë përfshirë nga flakët si ullinj shekullorë, ashtu edhe pemë të reja.

Puna për vlerësimin e plotë të dëmeve vijon, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar edhe shkaku i rënies së zjarrit.