... Nami.al

PD kërkon mocion me debat për raportin e DASH dhe integrimin, miratohet data 14 maj

Parlamenti i Shqipërisë do të zhvillojë më 14 maj një mocion me debat lidhur me çështjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian si dhe për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për vendin tonë.

Vendimi u mor pas një kërkese të Partisë Demokratike. Deputetja e PD, Jorida Tabaku ngriti shqetësimin se Parlamenti ka neglizhuar diskutimin e raporteve të rëndësishme ndërkombëtare, duke e cilësuar procesin e integrimit si të mbyllur, teknik dhe pa transparencë.

“Raporti Departamentit Amerikan të Shtetit, në fakt është duke dalë raporti i ri i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe ne akoma nuk kemi kryer diskutimin për raportin e parë. Është duke dalë raporti i dytë i progresit për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe ne akoma nuk kemi kryer diskutimin për raportin e parë. Me datën 6 maj, Parlamenti Europian miraton raportin e radhës për procesin e integrimit dhe ne akoma s’e kemi kryer diskutimin për raportin e shkuar të Komisionit të Parlamentit Europian”, tha ajo.

“Për këtë arsye ne insistuam që parlamenti duhet patjetër që në rend të ditës të ketë çështje që lidhen së pari me krimin e organizuar, së dyti me luftën ndaj korrupsionit, së treti edhe me klimën e biznesit që në fund të ditës janë edhe çështje të procesit të integrimit. Të gjithë jeni në dijeni që pozicionet negociuese janë sekrete, nuk publikohen. Të gjithë jeni në dijeni që objektivat e ndërmjetme janë sekrete, nuk publikohen. Të gjithë jeni në dijeni që ky parlament ka një vit që nuk merr një raport për procesin e integrimit që ta diskutojnë komisionet, që diskutohet këtu në seancë plenare dhe i gjithë ky proces është duke u mbajtur jo vetëm burokratik, por është duke u mbajtur teknik, është duke u mbajtur i fshehtë, pa gjithëpërfshirje, pa konsultim. pa njoftim të parlamentit dhe është e nevojshme patjetër që parlamenti t’i ketë këto çështje në rendin e ditës, çështje të cilat janë të rëndësishme jo vetëm për parlamentin dhe procesin e integrimit, por në fund të ditës janë çështje të rëndësishme për qytetarët”.

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla kundërshtoi pretendimet e opozitës, duke theksuar se qeveria ka përmbushur detyrimet e saj për raportim dhe se disa prej diskutimeve janë shtyrë për shkak të mungesës së dakordësisë mbi datat.

“Në nëntor të vitit të kaluar kemi bërë një konferencë kryetarësh dhe edhe aty kemi rënë dakord që të bëjmë bashkimin e dy çështjeve në të njëjtin mocion me debat: raportin e DASH-it dhe, padyshim, të Departamentit Amerikan të Shtetit, jo të DASH-it, ish-DASH-it tuaj, si dhe mocionin me debat që lidhet me nenin 18 të ligjit për rolin e Kuvendit të Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Kemi thënë që sapo të vijë raporti, do t’i bëjmë”, tha Balla.

“Pa dyshim që bie plotësisht dakord; ne jemi të gjithë së bashku që edhe ju, edhe ne, na ka kaluar afati i përcaktuar. Por nuk është aspak e vërtetë të vish këtu dhe të thuash që qeveria shqiptare nuk ka raportuar fare sa i përket procesit të integrimit europian. Ja ku i keni të katër raportet e dërguara nga qeveria sa i përket nenit 19, atij të raportimit te komisioni dikur për çështjet europiane, sot për Europën dhe punët e jashtme. Qeveria e ka bërë këtë pjesë. Natyrisht që duhet të vijmë edhe te pjesa që lidhet me këtë debat dhe diskutimin në konferencën e kryetarëve, me propozimin për të cilin nuk ka pasur dakordësi, dhe këtu duhet të jemi të qartë. Unë kam thënë në konferencën e kryetarëve që në datën 7 apo në datën 14 maj ta zhvillojmë këtë debat për të cilin kemi rënë dakord në muajin maj. Këtu nuk kemi dakordësi. Ju thoni që e duam menjëherë; ne themi që ta zhvillojmë në 7 apo 14 maj dhe për këtë çështje do të duhet të votohet”.

Pas debatit, Kuvendi miratoi zhvillimin e mocionit me debat më 14 maj.