... Nami.al

Dyshohet se qeni që kafshoi 4-vjeçaren është vrarë përmes eutanazisë, paditet bashkia e Vlorës

Ngjarja e rëndë e ndodhur këtë të martë në Vlorë, ku një qen i racës pitbull kafshoi një të mitur, ka ngritur shqetësime mbi fatin e kafshëve.

Shëndeti i vajzës fatmirësisht është i stabilizuar dhe tashmë ka dalë nga spitali, mirëpo nuk dihet fati i kafshës. Dyshohet se qeni është vrarë përmes eutanazisë, gjë që ka sjellë reagimin e shoqatave për mbrojtjen e kafshëve.

Avokatja Adriana Kalaja ka denoncuar në Prokurorinë e Vlorës bashkinë e qytetit bregdetar dhe zyrën e veterinarisë për keqtrajtimin e kafshëve dhe mungesën e planit për menaxhimin e situatës.

Shqetësimi për vrasjen e kafshëve është ngritur edhe nga animalistët, për mënyrë si trajtohen rastet te ne, duke paralelizuar me situatat në Itali.

Nga ana e tyre, banorët e Vlorës shprehen të shqetësuar për ngjarjen e ndodhur. Ata kërkojnë zgjidhje nga bashkia, në një kohë kur qyteti është i mbushur me qen rrugësh.

Përfaqësuesit e shoqatave dhe banorët bëjnë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme, duke theksuar se siguria publike duhet të jetë prioritet.