...
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka kërkuar ndryshimin e përfaqësuesit të tij ligjor, duke paraqitur si mbrojtës të ri avokatin dhe ish-deputetin Plarent Ndreca.
Në seancën e kësaj të marte, Veliaj nuk ishte i pranishëm në sallë, ndërsa u përfaqësua nga Ndreca, i cili kërkoi të marrë rolin e mbrojtësit ligjor që prej kësaj faze të procesit.
Kërkesa u kundërshtua nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, me argumentin se Ndreca është marrë në pyetje gjatë hetimeve paraprake si person në dijeni për çështjen, çka sipas tij përbën pengesë për legjitimimin si avokat mbrojtës.
“Plarent Ndreca është pyetur në fazën e hetimit paraprak dhe jemi në kushtet ku nuk mund të legjitimohet si mbrojtës”, tha Altin Dumani.
Nga ana tjetër, Ndreca ka kundërshtuar këtë qëndrim, duke theksuar se deklarimet e dhëna në fazën paraprake nuk përbëjnë provë dhe nuk krijojnë papajtueshmëri ligjore për përfaqësimin e Veliajt. Ai sqaroi se është pyetur për njohje të mundshme dhe rrethana dytësore, pa lidhje të drejtpërdrejtë me thelbin e çështjes.
“Nuk jemi në kushtet e papajtushmërisë. Deklarimet në hetimet paraprake nuk përbëjnë provë”, deklaroi Ndreca.
Pavarësisht debatit mes palëve, trupa gjykuese vendosi të pranojë kërkesën e kryebashkiakut, duke lejuar që Plarent Ndreca të jetë avokati i ri mbrojtës i Erion Veliajt në vijim të procesit.
Pjesë nga debati në sallë:
Plarent Ndreca: Kam një kërkesë si detyrim ligjor. Në vlerësim të ligjit nuk jemi në kushtet e papajtueshmërisë. Nuk përbëjnë provë të dhënat e hetimit paraprak. Unë jam pyetur për njohjet me Veliajn dhe Xoxën, por edhe për kompani nëse kam njohje, por nuk rezulton.
Jam pyetur për një foto që është gjetur në zyrat e Xoxës, por unë nuk kam pasur lidhje. Thëniet që unë kam bërë s’kanë lidhje me këtë proces dhe nuk cenojnë interesin e gjykimit. Nuk jemi në kushte papajtueshmërie.
Altin Dumani: Është vlerësimi juaj nëse e legjitimon. Sepse për ne s’ka ndonjë pengesë, por duhet parë ligji. Të shmanget mundësia e një pavlefshmërie apo dështimi të arsyeshëm, kaq kishim këtë merak.
Ndreca: Kështu e komentova si një merak. Por e sqarova dhe lidhjet dhe thëniet e mia nuk kanë asnjë interes të ndërsjellë.