... Nami.al

Bilanci i SPAK: 45 milionë euro pasuri të sekuestruara, kriptomonedha dhe zyrtarë të lartë nën sitë!

Raporti vjetor i SPAK për vitin 2025 është siguruar nga VoxNews dhe shifrat flasin për një rritje të ndjeshme të goditjeve ndaj korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.

Gjatë këtij viti, Struktura e Posaçme ka arritur rezultate rekord, duke filluar nga sekuestrimi i pasurive miliona eurosh e deri te hetimi i figurave më të rëndësishme politike në vend.

Një nga shifrat që bie më shumë në sy është vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara, e cila kap shifrën e 45.4 milionë eurove.

Pjesa dërrmuese e kësaj shume, rreth 43.5 milionë euro, janë pasuri të sekuestruara që presin vendimet përfundimtare.

Raporti i plotë:

1. Sfidat në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë

Hetimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta paraqet sfida të rëndësishme për SPAK. Gjithashtu, retorika politike dhe mediatike mund të ndikojë në perceptimin publik dhe në autoritetin e institucionit, si dhe mund të shërbejë edhe si faktor nxitës për rritjen e nivelit të kërcënimeve nga krimi i organizuar. SPAK do ti konsideronte veçanërisht shqetësuese ato nisma ose masa me karakter ligjor dhe institucional, që do të synonin kufizimin e mjeteve proceduriale dhe pavarësinë e saj. Ndërhyrje të tilla do të përbenin rrezik serioz për funksionin kushtetues të SPAK dhe për vetë shtetin e së drejtës.

2. Statusi i prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit

Mospërcaktimi i qartë ligjor kërcënon vijimësinë e hetimeve dhe standardet profesionale, duke ndikuar në besimin e publikut dhe në përmbushjen e kërkesave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare.

3. Këshilltarët ligjor pranë SPAK

Mungesa e këshilltarëve ligjorë me përvojë krijon vështirësi në cilësinë e hetimeve dhe ndjekjes së çështjeve në të gjitha shkallët e gjykimit, përfshirë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

4. Bashkëpunimi me institucionet publike

Edhe pse ka rritje të referimeve dhe shkëmbimit të informacionit, niveli i bashkëpunimit duhet të intensifikohet më tej, veçanërisht me Policinë e Shtetit, për të garantuar hetime më të koordinuara dhe efikase. 5. Sistemi i Menaxhimit të Çështjeve (Case Management System) – Konsolidimi i mëtejshëm i moduleve ekzistuese dhe integrimi i funksionaliteteve të reja mbetet prioritet për të përmirësuar ndërveprimin me proceset hetimore dhe procedurale të të dhënave, duke siguruar monitorim më të mirë të progresit të çështjeve.

6. Njësia e analizës

Ngritja e një strukture të specializuar për mbështetjen e hetimeve komplekse, matjet e riskut dhe raportimet kombëtare dhe ndërkombëtare vazhdon të mbetet sfidë, duke kërkuar bashkëpunim të vazhdueshëm me ekspertë ndërkombëtarë.

7. Specialisti Ndërlidhës

Statusi i specialistit ndërlidhës si nëpunës civil nuk përputhet plotësisht me funksionet, që duhet të kryejë sipas ligjit nr. 95/2016, duke e bërë të nevojshme përcaktimin e qartë të pozicionit dhe kompetencave për të garantuar efektivitetin e rolit.

8. Shqyrtimi i kërkesave nga autoritetet e huaja

Mungesa e kompetencës për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja, përfshirë procedurat e ekstradimit, mbetet problematike dhe ndikon vijimësinë e hetimeve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

9. Kompetenca e Gjykatave të Posaçme

Mungesa e kompetencës për shqyrtimin e kërkesave në fazën e ekzekutimit të vendimeve penale për subjektet e posaçme detyron që këto çështje të trajtohen nga gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm, duke rritur kohëzgjatjen dhe kompleksitetin procedural.

10. Ekstradimi/deportimi i shtetasve shqiptarë

Edhe pse ka përmirësime në bashkëpunimin me disa shtete, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, procesi i ekstradimit vazhdon të jetë sfidues dhe kërkon nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe për të garantuar ekzekutimin e vendimeve penale jashtë vendit.