...
Një ushtar amerikan ka vdekur nga plagët e marra gjatë sulmeve të para të Iranit në Lindjen e Mesme.
Sipas njoftimit të bërë nga Komanda Qendrore e SHBA-ve (CENTCOM), ushtari kishte pësuar plagë të rënda gjatë një sulmi ndaj trupave amerikane të vendosura në Arabinë Saudite më 1 mars.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë, ai nuk arriti t’iu mbijetojë plagëve të marra.
Kështu, numri i përgjithshëm i ushtarëve amerikanë që kanë humbur jetën që nga fillimi i përshkallëzimit të konfliktit ka arritur në shtatë. Autoritetet amerikane kanë dënuar sulmet dhe kanë theksuar se do të vazhdojnë të marrin masa për mbrojtjen e trupave të tyre në rajon.
Ndërkohë, zhvillimet diplomatike dhe ushtarake në Lindjen e Mesme po vazhdojnë me intensitet. Sipas mediave ndërkombëtare, të cituara nga Axios, të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, pritet të zhvillojnë një vizitë zyrtare në Izrael të martën. Qëllimi i vizitës besohet të jetë koordinimi me aleatët rajonalë dhe diskutimi i situatës së sigurisë pas tensioneve të fundit.