... Nami.al

Gaz Bardhi: Një këshillë falas për Edi Ramën…

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazmend Bardhi ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me postimin e kryeministrit Rama ku krahasonte shembjen e rrugëve në Shqipëri me një situatë të ngjashme që ka ndodhur edhe në Portugali.

Bardhi nuk shikon ngjashmëri këtu, pasi Portugalia pati ciklon me 200 km/orë, ndërsa tek ne kishte vetëm reshje sezonale, pas të cilave fshihet Rama duke mos mbajtur përgjegjësi për shembjen e rrugëve.

Nga ana tjetër Bardhi i jep një këshillë Ramës, që nga Portugalia të marrë si shembull rastet kur jepet dorëheqja.

“Rrugët në Shqipëri nuk po i shemb shiu. Po i shemb korrupsioni. Përpjekja e Edi Ramës për t’u fshehur pas reshjeve sezonale është fyese për shqiptarët.

Në Portugali pati ciklon 200 km/orë. Tek ne ka tornado korrupsioni: vetëm në 11 tendera nën hetim nga SPAK, janë 1.1 miliardë euro, të hedhura në rrugë.

Pamjet nuk kanë nevojë për koment. 

P.S. Një këshillë falas per Edi Ramën: nga Portugalia mëso si jep dorëheqjen kryeministri dhe ministrat kur janë nën hetim. Antonio Kosta është vetëm një telefonatë larg”, shkruan Bardhi.