... Nami.al

Endri Shabani konfirmohet si Avokat i Popullit, Kushtetuesja vendos të mos kalojë në seancë mënyrën si u zgjodh

Gjykata Kushtetuese vendosi sot të mos kalojë në seancë plenare çështjen për mënyrën sesi u zgjodh Avokati i Popullit.

Vendimi lidhet me kërkesën e Ardiana Kalasë, e cila kërkoi konstatimin si antikushtetues dhe të paligjshëm të procedurës të zgjedhjes të Avokatit të Popullit nga Kuvendi i Shqipërisë.

Po ashtu, kërkuesja kërkoi konstatimin e pavlefshmërisë së procedurës së zgjedhjes të Avokatit të Popullit nga Kuvendi dhe Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën, të procedurës së zgjedhjes të Avokatit të Popullit, më datë 11.12.2025 nga Kuvendi i Shqipërisë.

Por të gjitha këto kërkesa, Gjykata Kushtetuese vendosi të mos i kalojë në seancë, duke konfirmuar përfundimisht si Avokat Populli, Endri Shabanin.

Endri Shabani u zgjodh Avokat i Popullit në datë 11 dhjetor 2025 me votat vetëm të mazhorancës, duke marrë 85 vota pro, abstenim 0 dhe kundër 3. Në këtë seancë, vendet e parlamentarëve opozitarë mbetën bosh, pasi u larguan para se të niste votimi.

Më pas, më 12 janar Partia Demokratike çoi në Kushtetuese mënyrën e zgjedhjes të Avokatit të Popullit. Por, kjo padi nuk u mor në konsideratë sot nga Gjykata Kushtetuese.