... Nami.al

Parlamenti Europian miraton rregulla të reja për azilin: Çfarë nënkupton për Shqipërinë

Parlamenti Evropian ka miratuar ndryshime në rregullat e BE-së për procedurat e azilit, duke hapur rrugën për përshpejtimin e shqyrtimit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare dhe për krijimin e një liste të përbashkët të vendeve të sigurta të origjinës.

Sipas vendimit, disa vende – përfshirë Bangladeshin, Kolumbinë, Egjiptin, Kosovën, Indinë, Marokun dhe Tunizinë – do të konsiderohen vende të sigurta, çka do të thotë se kërkesat për azil nga qytetarët e këtyre shteteve do të trajtohen me procedurë të përshpejtuar.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu se vendet që janë në proces anëtarësimi në BE do të konsiderohen në parim vende të sigurta, ndërsa Bashkimi Evropian do të monitorojë situatën dhe mund të propozojë heqjen e tyre nga lista nëse kushtet ndryshojnë.

Rregullat e reja lejojnë gjithashtu shtetet anëtare të lidhin marrëveshje me vende të treta për përpunimin e kërkesave për azil jashtë territorit të BE-së.

Në këtë kuadër përmendet edhe Shqipëria, me të cilën Italia ka një marrëveshje për qendrat e trajtimit të migrantëve.

Sipas rregullave të reja, kërkesat për azil mund të shpallen të papranueshme nëse aplikanti ka lidhje me një vend të tretë, ka kaluar përmes tij përpara hyrjes në BE ose nëse ekziston një marrëveshje ndërkombëtare për trajtimin e kërkesave, me përjashtim të rasteve të të miturve të pashoqëruar.

Vendimi është miratuar me shumicë votash, ndërsa partitë e djathta dhe Partia Popullore Evropiane e kanë mbështetur, duke argumentuar se ndryshimet do të përshpejtojnë procedurat dhe do të rrisin kontrollin mbi migracionin.

Nga ana tjetër, eurodeputetë nga të Gjelbrit dhe e Majta e kanë kundërshtuar vendimin, duke paralajmëruar se ndryshimet mund të dobësojnë të drejtën për azil dhe të çojnë në refuzime më të shpejta të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare.