...
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, pas vizitës së saj në QSUT, ku shkoi për të parë nga afër gjendjen e efektivëve të cilët mbetën të lënduar gjatë protestës së sotme të opozitës.
“Në shërbimin e Djegie-Plastikës në QSUNT, pranë punonjësve të Policisë së Shtetit që mbetën të plagosur nga molotovët e hedhur në mënyrë barbare drejt tyre.
Ledio 26 vjeç, Kreshniku 38, Enesi 21, Klevi 27, Bledari 27. Kundër tyre e kolegëve të tyre u përdorën molotovë, bomba artizanale të mbushura me lëndë djegëse, gurë, çdo gjë me të vetmin qëllim për goditur e dhunuar ata që janë në krye të detyrës“, shkruan ministrja.
Më tej ajo shprehet se protestuesit që goditën e sulmuan efektivët në protestë nuk ishin protestues por kriminelë dhe se kjo ishte “tentativë për vrasje”. Ndaj kërkoi reagim të fort nga ana e institucioneve përkatëse lidhur me këtë.
“Dua ta them qartë! Ata që goditën punonjësit e Policisë nuk janë protestues. Ata janë kriminelë të organizuar. Kur godet me të tilla mjete e bën duke e ditur se pasojat mund të jenë shumë, shumë të rënda.
Kjo nuk është protestë, këto nuk janë përplasje. Kjo quhet tentativë vrasjeje.
Pres nga institucionet ligjzbatuese të reagojnë fort ndaj kësaj sjellje të përsëritur të dhunës nga disa element kriminal të nxitur nga persona me imunitet që inkurajojnë dhunën”, shkruan më tej Koçiu.
Më herët, ministrja shkoi në QSUT dhe në një prononcim për mediat tha se dhuna ndaj efektivëve të policisë në protestën e opozitës ishte barbare dhe se qëllimi i vetëm ishte dhunimi i efektivëve. Ajo shtoi se “është hera e dytë në fakt, e cila drejtohet ndaj punonjësve të policisë së shtetit dhe drejtuesi i kësaj proteste, Sali Berisha, është i vetmi që mund të organizojë protesta të tilla dhune ndaj punonjësve të policisë të cilët janë prindër, janë baballarë, janë vëllezër dhe që në fund të ditës, ashtu si gazetarët, bëjnë punën e tyre”.
Sjellim ndërmend se pas protestës së sotme, Policia ka bërë me dije se si pasojë e sulmit me bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta, janë dëmtuar në total 14 efektivë.