
...
“Ky nuk është Klubi Mesdhetar”, deklaroi mbrëmjen e kaluar avokati Jean-Michel Darrois pas vizitës që i bëri klientit të tij, Nicolas Sarkozy, në burgun e Santé në Paris.
“Sot bëri sport, nisi të shkruajë librin e tij. Ndodhet në një qeli prej nëntë metrash katrorë dhe ka shumë zhurmë gjatë gjithë kohës”, tha avokati. Ai shtoi gjithashtu se Sarkozy pati mundësinë të takonte për herë të parë bashkëshorten e tij, Carla Bruni, pasdite, në një nga tre takimet njëorëshe në javë që i takojnë.
“Dita e parë në burg është e tmerrshme, por ai e përballoi”, përfundoi avokati, shkruan Corriere della Sera.
Dita për ish-presidentin Sarkozy nisi në orën 09:37 të mëngjesit, kur makina tip “Renault Espace” e tij hyri në burgun e Montparnasse, e vetmja strukturë penitenciare që ndodhet ende brenda mureve të Parisit.
Burgu, që ka një kapacitet maksimal prej 657 personash, aktualisht strehon 1 mijë e 237 të burgosur. Ish-presidenti nuk është vendosur në sektorin për “të dënuarit vulnerabël”, ku më parë janë strehuar figura publike si Bernard Tapie, por është izoluar, jo si ndëshkim shtesë, por për të garantuar sigurinë e tij dhe për ta mbrojtur nga kontakti me të burgosur të tjerë që mund të përbëjnë rrezik.
Në momentin e mbërritjes, Sarkozy u prit me thirrje jo fort miqësore nga të burgosurit: “Oh, mirësevjen Sarkozy!”, “Është Sarkozy!”.
Atij iu dorëzua rregullorja e brendshme e burgut dhe iu rikujtua arsyeja e ndalimit të tij: dënimi për “bashkëpunim kriminal” në çështjen e financimeve libiane për fushatën e tij elektorale në vitin 2007.
Më pas, gardianët i morën shenjat e gishtave, i bënë një fotografi dhe i caktuan një numër identifikimi si i burgosur, së bashku me një kartë identiteti të brendshme të burgut. Sarkozy dorëzoi të gjitha dokumentet dhe sendet personale në një kasafortë të vogël, por iu lejua të mbante unazën martesore dhe orën.
Ashtu si çdo i burgosur tjetër, ai mori një “paketë mirëseardhjeje” që përfshinte sapun, çarçafë, enë, letër dhe stilolaps.
Sarkozy u shoqërua drejt qelisë, e cila ka një tualet me dush, një kënd për gatim, një krevat, një tavolinë të vogël, një televizor të vogël dhe për shkak se celularët janë të ndaluar, një linjë telefoni fikse me 10 numra të paracaktuar nga administrata e burgut, e cila ka të drejtën të monitorojë bisedat.
Me këshillën e avokatëve të tij, ish-presidenti mori me vete disa triko për t’u mbrojtur nga i ftohti dhe tapa për veshët. Pjesa më e vështirë pritet të jetë nata, pasi, veçanërisht në fazën e parë të dënimit, gardianët ndezin dritën çdo orë për të kontrolluar që i burgosuri të mos ketë tentuar vetëvrasje. Gjithashtu, është zakon që gjatë gjithë natës së parë, të burgosurit të thërrasin me zë të lartë emrin e të sapoardhurit.
Dhe duke qenë se Sarkozy, që nga koha kur ishte ministër i Brendshëm njihej për qasjen e tij të ashpër ndaj të dënuarve, nuk është për t’u habitur që nuk u prit ngrohtësisht.