... Nami.al

Tragjedi në brigjet e Afrikës Veriore, 40 të vdekur nga fundosja e varkës së mbushur me emigrantë

Një tragjedi e rëndë është shënuar pranë brigjeve të Salakta-s, në Tunizi, ku 40 emigrantë kanë humbur jetën pasi varka e tyre u përmbys në det. Mes viktimave raportohet se ka edhe foshnje, sipas burimeve lokale.

Lajmi është bërë i ditur nga radioja tuniziane “Mosaique FM”, duke cituar zëdhënësin e gjykatës së Mahdias, Walid Chatrbi.

Forcat e rojës bregdetare kanë arritur të shpëtojnë 30 persona, të cilët ndodheshin në të njëjtën varkë. Autoritetet kanë hapur një hetim zyrtar për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa mbetet e paqartë se nga cila pikë janë nisur emigrantët dhe cili ishte destinacioni i tyre përfundimtar.

Ky incident tragjik vjen në një kohë kur rritja e flukseve emigratore drejt Evropës ka shtuar numrin e përpjekjeve të rrezikshme për kalim me varka të improvizuara nga brigjet e Afrikës së Veriut.