... Nami.al

Britania e Madhe godet grupin kriminal Krasniqi

Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sanksione ndaj disa rrjeteve kriminale nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, përfshirë një grup nga Kosova, të cilët dyshohen për falsifikim të dokumenteve që pastaj janë përdorur nga të njëjtët për trafikim të njerëzve.

Në njoftimin e qeverisë britanike thuhet se, në bashkëpunim me autoritetet kosovare, është goditur “Rrjeti Krasniqi” në Kosovë – një organizatë kriminale që drejtonte një laborator të sofistikuar për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.

Ky rrjet ishte përgjegjës për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve – pasaporta, letërnjoftime dhe patenta – për mbi 50 shtete, mes tyre edhe Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa dokumentet e falsifikuara janë përdorur për të lehtësuar lëvizjen ilegale të migrantëve, por edhe për të mbështetur veprimtari të tjera kriminale.

Të sanksionuarit janë: Burim Krasniqi, udhëheqës i grupit; Arif Krasniqi, ndërmjetës; Flamur Krasniqi, Valon Krasniqi dhe Sami Duriqi, pjesëmarrës në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; Granit Avdyli, reklamues i shërbimeve të grupit; Nexhmie Selmani, pronare e objektit ku kryhej falsifikimi i dokumenteve; Endrit Emerllahu dhe Shkembim Emerllahu, pjesëtarë të grupit dhe posedues të dokumenteve të falsifikuara.

Sanksionet përfshijnë bllokimin e çdo pasurie apo burimi ekonomik që individët e sanksionuar zotërojnë, mbajnë ose kontrollojnë, si dhe ndalimin e plotë të hyrjes ose qëndrimit në territorin e Britanisë së Madhe. Kjo nënkupton ngrirje të llogarive bankare, pronave dhe aseteve financiare të regjistruar në emrin e tyre.