
...
Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, ka zhvilluar dje një takim të rëndësishëm me përfaqësues të forcave politike opozitare, duke sinjalizuar një bashkim të rrallë të opozitës në një front të vetëm. Koordinatori i Partisë Demokratike për Tiranën, Ilir Alimehmeti, e cilësoi këtë zhvillim si një ngjarje të pazakontë në skenën politike shqiptare.
“U bë shumë kohë që nuk kemi parë një bashkim të opozitës në një krah. Dhe nuk kemi parë asnjëherë një kandidat të pavarur të jetë kaq i avantazhuar në këto 35 vite. Fushata e Binajt është më shumë si një fushatë qytetare, ku ai vetë është në rolin e drejtuesit të shtabit, por ku një rol të rëndësishëm luajnë edhe forcat politike që e mbështesin.
Binaj është kandidati, ai drejton fushatën dhe mban barrën e saj. Por për t’i dhënë kësaj fushate fuqi logjistike dhe organizative, sidomos në ditën e votimit dhe numërimit, është e nevojshme një urë lidhëse me partitë që e mbështesin, dhe PD-ja është më e madhja ndër to. Mbështetja e Partisë Demokratike nuk është vetëm deklarative, por përfshin edhe logjistikë, resurse njerëzore, vëzhgues dhe numërues në qendrat e votimit, duke ndihmuar në mbrojtjen e votës.
Ka pasur takime koordinuese dhe çdo vendim është marrë në funksion të një strategjie të përbashkët. Secili ka rolin dhe pozicionin e vet në këtë përpjekje, por të gjithë qëndrojmë për të njëjtën kauzë.
Alimehmeti tha se mbështetja e një kandidati të pavarur nga forcat opozitare është një veprim i pazakontë, por i domosdoshëm për kushtet politike në të cilat ndodhet opozita. Kjo është me të vërtetë e veçantë: një kandidat i pavarur që mbështetet nga të gjitha partitë opozitare. Është një model i ri që kërkon të dalë jashtë standarteve të vjetra dhe të përditshme të politikës.
Ne besojmë se kjo është rruga për të sjellë ndryshim real në Tiranë. Binaj tregoi që arriti të bëj bashkë të gjitha partitë opozitare të ndara”, tha ai në mcn.