... Nami.al

OLAF: Shqipëria në provë për mënyrën si menaxhon fondet IPARD, 33 milionë euro nën dyshim, 112 të tjera të ngrira

Kanë kaluar dy vjet nga raporti i Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) mbi keqpërdorimin e mundshëm të fondeve IPARD në Shqipëri, por çështja mbetet një test i rëndësishëm për besueshmërinë e vendit si kandidat për në BE.

Në intervistë për “Monitor”, drejtuesja e OLAF-it Salla Saastamoinen, shpjegon se hetimet identifikuan “prova për shkelje të rënda” në përdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian për bujqësinë, me një “rrezik financiar të mundshëm prej rreth 33 milionë eurosh”.

Si pasojë, Komisioni Evropian vendosi masa paraprake për ngrirjen e fondeve IPARD në vlerën totale prej 112 milionë euro, derisa autoritetet shqiptare të ndërmarrin masat e nevojshme.

OLAF thekson se bashkëpunimi me autoritetet shqiptare është përmirësuar, veçanërisht pas miratimit të Strategjisë Kombëtare Kundër Mashtrimit në maj, të hartuar me kontributin e drejtpërdrejtë të zyrës evropiane. Megjithatë, drejtuesja e saj paralajmëron se “strategjitë nuk duhet të mbeten në letër, vlera e tyre është në zbatim”.

Në fazën aktuale të negociatave të anëtarësimit, OLAF e sheh forcimin e institucioneve shqiptare si prioritet. Zbatimi i Kodit të ri Penal, funksionimi i SPAK dhe ndërtimi i një rrjeti auditimi dhe kontrolli efektiv janë thelbësorë për menaxhimin e fondeve evropiane në të ardhmen.

Drejtoresha e OLAF-it përmendi edhe rolin e Inteligjencës Artificiale në luftën kundër mashtrimit, duke theksuar se “mashtruesit përdorin teknologji moderne, ndaj edhe ne duhet ta përdorim IA për t’i ndalur”.

Në fund, ajo nënvizoi se mënyra se si Shqipëria menaxhon fondet IPARD do të ndikojë drejtpërdrejt në perceptimin e saj si vend kandidat dhe në mundësinë për të përfituar fonde më të mëdha në të ardhmen:

“Ky është një moment kyç për Shqipërinë. Tranzicioni duhet të jetë i pastër, jo vetëm në aspektin mjedisor, por edhe financiarisht.”