
...
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka përshëndetur zyrtarisht anëtarësimin e Shqipërisë në sistemin evropian të pagesave, SEPA.
Në një postim në rrjetet sociale, delegacioni vlerëson këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, që sjell përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset shqiptare.
“Shqipëria është tashmë pjesë e sistemit evropian të pagesave (SEPA) – një hap konkret i Planit të Rritjes të BE-së, që ul kostot dhe përshpejton transfertat. Kjo nënkupton më shumë lehtësi për familjet dhe bizneset shqiptare, si dhe më shumë lidhje me vendet e Bashkimit Evropian”, theksohet në reagimin e Delegacionit të BE-së në Tiranë.
Në një video informuese, BE shpjegon se përmes këtij sistemi Shqipëria mund të kursejë deri në 20 milionë euro në vit, falë një mënyre më efikase dhe të unifikuar pagesash. “SEPA e bën çdo pagesë dhe transferim më të lirë, më të sigurt dhe më të shpejtë, duke u dhënë qytetarëve dhe bizneseve shqiptare akses në pagesa moderne dhe të menjëhershme”, thuhet më tej në materialin e publikuar.