
...
Zhvilluesi i videolojërave Electronic Arts ka rënë dakord të shitet te një grup investitorësh privatë në një marrëveshje prej 55 miliardë dollarë, duke e bërë atë blerjen më të madhe me levë financiare.
Fondi i Investimeve Publike i Arabisë Saudite, “Affinity Partners” i Jared Kushner dhe firma e kapitalit privat Silver Lake u bashkuan për të blerë prodhuesin e njohur të videolojërave si “Battlefield” dhe Madden NFL”.
Ata po e financojnë blerjen me një kombinim prej 36 miliardë dollarësh së bashku me kapitalin që tashmë mbahet nga PIF, si dhe 20 miliardë dollarë borxh të financuar nga JPMorgan, tha kompania të hënën, sipas Reuters.
Kujtojmë se Affinity Partners është fondi i dhëndrit të Donald Trump që do të blejë ishullin e Sazanit për të ndërtuar aty një resort luksoz me vlerë rreth 1.4 miliardë euro, apo gati sa 1 e 40-ta e vlerës së blerjes së “Electronic Arts”.
Marrëveshja gjithashtu përbën një moment vendimtar në tregun e LBO-ve, edhe pse disa nga blerjet më të mëdha të tilla në të kaluarën kanë përfunduar në mënyrë katastrofike.
Një blerje me levë financiare (LBO), është blerja e një kompanie kryesisht me para të marra hua, duke përdorur asetet e kompanisë së synuar si kolateral për kreditë.