
...
Agjencia Europiane e Barnave (EMA) ka konfirmuar se paracetamoli (i njohur edhe si acetaminofen) mbetet një opsion i sigurt për trajtimin e dhimbjes, ose temperaturës tek gratë shtatzëna, kur përdorimi i tij është klinikisht i nevojshëm. Nuk ka asnjë provë, që do të kërkonte ndryshim të rekomandimeve aktuale të BE, për përdorimin e tij.
“Paracetamoli mbetet një zgjedhje e rëndësishme për trajtimin e dhimbjes apo temperaturës gjatë shtatzënisë”, u shpreh Steffen Thirstrup, Shefi Mjekësor i EMA-s. “Analizat tona, të dhënave shkencore nuk kanë gjetur asnjë provë që marrja e paracetamolit gjatë shtatzënisë shkakton autizëm tek fëmijët”.
Sipas EMA-s, të dhënat tregojnë se paracetamoli nuk lidhet me rrezik për malformime tek fetusi apo të porsalindurit.
Në vitin 2019, një rishikim i studimeve mbi zhvillimin neurologjik të fëmijëve të ekspozuar ndaj paracetamolit gjatë shtatzënisë rezultoi se provat ishin të paqarta dhe nuk u gjet lidhje me çrregullimet neurozhvillimore.
EMA thekson se paracetamoli duhet të përdoret vetëm kur është i domosdoshëm, në dozën më të ulët efektive, për kohën më të shkurtër të mundshme dhe sa më rrallë. Gratë shtatzëna këshillohen të konsultohen gjithmonë me mjekun për çdo medikament gjatë shtatzënisë.
Autoritetet rregullatore në BE do të vijojnë monitorimin e sigurisë së barnave që përmbajnë paracetamol dhe do të marrin masa të menjëhershme nëse dalin të dhëna të reja.