
...
Personat që konsumojnë nivele të larta ëmbëlsuesish artificialë, të barabartë me një pije të gazuar në ditë, pësuan një rënie të dallueshme të kujtesës dhe rikujtimit të fjalëve, krahasuar me personat që konsumonin pak, thotë një studim i ri.
“Personat që konsumuan ëmbëlsues me pak ose pa kalori shfaqën një rënie konjitive globale 62% më të shpejtë sesa ata që konsumuan sasi më të vogël, kjo është e barabartë me 1,6 vite të moshimit të trurit”, tha autorja e studimit, Claudia Kimie Suemoto.
Personat që konsumuan më shumë ishin ata që morën një mesatare prej 191 miligramë në ditë ose një lugë çaji me ëmbëlsues artificialë. Në nivelin e mesëm ishin ata që arritën një mesatare prej 66 miligramë dhe në të ulëtin ata me 20 miligramë.
“Pjesëmarrësit në nivelin e mesëm shfaqën një rënie konjitive globale prej 35% ose 1,3 vite sesa ata që konsumuan sasinë më të vogël. Studimi është vëzhgim dhe s’mund të them që ëmbëlsuesit artificialë shkaktojnë dobësim konjitiv. Por ne e dimë se ëmbëlsuesit lidhen me trajektore të përkeqësuar konjitive.”
Ëmbëlsuesit pa vlera ushqyese përdoren në ushqimet e përpunuara dhe produktet e veçanta për pacientët me diabet.
Shoqata Ndërkombëtare e Ëmbëlsuesve, e cila përfaqëson industrinë, tha për CNN se ëmbëlsuesit janë një formë e sigurt dhe efektive për të pakësuar marrjen e sheqerit dhe kalorive, një synim kyç i shëndetit publik për të kontrolluar obezitetin dhe diabetin e tipit 2.
Shkencëtarët morën në studim disa ëmbëlsues artificialë: aspartamin, sakarinën, acesulfam-K, eritrolin, ksilitolin, sorbitolin dhe tagatozën.
Nga këta, jo të gjithë rezultojnë problematikë. Tagatoza gjendet edhe në formë natyrale, sakarina, acesulfam-K dhe aspartami janë të pranuar nga FDA.
Eritroli, ksilitoli dhe sorbitoli janë sheqerna alkooli që gjenden në sasi të vogla te lulelakra, patëllxhani, sallata, kërpudhat, spinaqi, kumbullat, mjedrat dhe luleshtrydhet.
Zakonisht prodhuesit i krijojnë dhe i përdorin te pijet e gazuara, çaji, çamçakëzi, karamelet, çokollata, produktet e bukës, akullorja, etj.
Studimet kanë treguar se eritroli dhe ksilitoli mund të shkaktojnë grumbullimin e pllakëzave të gjakut duke krijuar grumbuj që mund të ndahen dhe të shkojnë drejt zemrës duke shkaktuar atak apo edhe në tru duke dëmtuar enët e gjakut apo nxitur një trombozë.