... Nami.al

Kapen 6 telefona në Burgun e Durrësit, avokati: Asnjë prej tyre nuk i përket Veliajt

Përfaqësuesit ligjorë të Erion Veliajt kanë deklaruar se asnjë prej 6 telefonave të gjetur dhe sekuestruar në Burgun e Durrësit nuk janë të kryebashkiakut të Tiranës.

“Në lidhje me lajmin e publikuar në disa media për gjetjen e pesë aparateve celularë gjatë një kontrolli në IEVP Durrës, ku ndodhet edhe z. Erion Veliaj, sqarojmë se asnjë prej aparateve celularë të gjetur nuk i përket z. Veliaj dhe asnjë prej tyre nuk është gjetur në dhomën, posedimin apo sendet e tij personale.

Për rrjedhojë, çdo informacion apo insinuatë që mund ta lidhë z. Veliaj me aparatet e gjetura është i pavërtetë dhe i pabazuar në fakte”, thuhet në njoftimin e përfaqësuesve ligjorë të Veliajt.

Gjashtë telefonat janë gjetur gjatë një kontrolli të kryer në ambientet e institucionit. Mësohet se pesë prej celularëve kanë qenë të ndezur, ndërsa një tjetër ka qenë i fikur. Pajisjet janë gjetur në ambientet e përbashkëta, në zonën e palestrës.