... Nami.al

Dy vite pas vrasjes së Martin Canit, Rama: 20 shkolla në Tiranë janë pajisur me kamera inteligjente

Dy vite pas vrasjes së Martin Canit, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se 20 shkolla në Tiranë janë pajisur me sisteme të reja kamerash inteligjente, të cilat synojnë të forcojnë sigurinë në ambientet shkollore.

Duke iu referuar ngjarjes tragjike, Rama tha se kamerat që ishin instaluar në shkolla në atë kohë nuk kishin qenë të mjaftueshme për të ndihmuar në rindërtimin e plotë të dinamikës së ngjarjes.

Sipas kryeministrit, pas tragjedisë ishte marrë një angazhim për përdorimin e teknologjisë më të avancuar me qëllim rritjen e sigurisë së nxënësve.

“Kur një tragjedi e tmerrshme në një shkollë të Tiranës mbajti frymën e mbarë Shqipërisë, kamerat nuk na ndihmuan dot mjaftueshëm për të kuptuar dinamikën e asaj ngjarjeje. Atëherë unë bëra një zotim; do të sjellim Shqipërinë në nivelin më të lartë të teknologjisë për të forcuar si asnjëherë më parë sigurinë në shkolla”, u shpreh Rama.

Ai tha se 20 institucionet arsimore të përfshira në fazën e parë janë vetëm fillimi i një projekti që synon të shtrihet gradualisht në shkolla të tjera.

Ndryshe nga sistemet e mëparshme, sipas Ramës, kamerat e reja nuk shërbejnë vetëm për regjistrimin e pamjeve, por kanë aftësi për të identifikuar situata të caktuara dhe për të dërguar sinjalizime në kohë reale.

Njoftimet mund t’u përcillen drejtuesve të shkollave, punonjësve të sigurisë dhe Policisë së Shtetit, duke synuar që reagimi ndaj situatave problematike të jetë më i shpejtë.

“Këto kamera janë vendosur dhe do të vendosen po aty ku ishin të vjetrat, po ndryshe nga të vjetrat, ato jo vetëm shohin edhe sinjalizojnë në kohë reale drejtorinë, punonjësit e sigurisë apo vetë Policinë e Shtetit”, deklaroi kryeministri.

Sipas tij, teknologjia e re synon t’u japë strukturave përgjegjëse mundësinë për të marrë informacion më të shpejtë mbi atë që po ndodh dhe për të ndërhyrë pa humbur kohë.

Rama theksoi se projekti nuk do të kufizohet vetëm në 20 shkollat e para.

“Këto 20 shkolla janë vetëm pararoja e procesit. Zotimin e bërë pas asaj tragjedie, do ta bëjmë realitet shkollë pas shkolle”, tha ai.

Kryeministri e cilësoi përdorimin e teknologjisë si një instrument në funksion të sigurisë së nxënësve, duke nënvizuar se zgjerimi i sistemit do të bëhet gradualisht në institucionet arsimore.